Fier: Ja gjendja e 5 të plagosurve nga aksidenti

Zbulohet gjendja shëndetësore e 5 personave që mbetën të plagosur nga aksidenti tragjik i mbrëmjes së kaluar në autostradën Levan-Tepelenë, pranë fshatit Varibob.

Nga aksidenti humbën jetën dy persona dhe 5 të tjerë u plagosën, disa prej të cilëve janë transferuar për në Tiranë, pasi ndodhen në gjendje të rëndë.

Gazetari Ervis Kuci raporton për “BalkanWeb” se i plagosuri Jorgo Meraj po transferohet në gjendje të rëndë shëndetësore për në Tiranë. Të plagosurit Haxhi Lamaj dhe Agron Cecollari ndodhen në reaminacion jashtë rrezikut për jetën.

Sakaq, Sokol Dhima ka dalë nga spitali pasi ka paraqitur parametra jetësor normal pas ndihmës se marrë, ndërsa aktualisht në pavion është Menyre Lamaj.

Sipas policisë, fillimisht në këtë ngjarje të rëndë një mjet ka përplasur një këmbësor dhe njerëzit e zonës dhe pasagjerë të tjerë kanë ndaluar për t’i dhënë ndihmën e parë të aksidentuarit, por një makinë e tipit “Opel” është futur në parakalim duke marrë përpara edhe persona të tjerë.

Viktimat:
1- Fetah Shahja 64 vjeç, banues në Tiranë
2- Durim Lamaj 55 vjeç, banues në Vjosë, Fier

Të plagosurit:
1-Haxhi Lamaj
2-Mynyre Lamaj
3- Agron Cocalli
4-Jorgo Meraj
5-Sokol Dhima

Njoftimi nga policia:

“Në datën 06.01.2019, rreth orës 18:00, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, në vendin e quajtur “Varibob”, një automjet ka përplasur një këmbësor.

Në vendngjarje janë grumbulluar disa banorë të zonës dhe pasagjerë të një mjeti tjetër që kishte parkuar aty për të dhënë ndihmën e parë personit të aksidentuar, të cilët janë përplasur nga një mjet tjetër tip “Opel” i cili ka hyrë në parakalim.

Për pasojë kanë ndërruar jetë shtetasit F.Sh, 64 vjeç, banues në Tiranë dhe D.L, 55 vjeç, banues në Vjosë, Fier si edhe janë dërguar në Spitalin Rajonal Fier dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve 5 shtetas të tjerë. Po punohet për identifikimin e shtetasve të plagosur dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes”.

(BalkanWeb)

Loading...