“Komuniteti i Open Labs Hackerspace, anëtarët e Wikimedia Community Usergroup Albania (WCUGA) dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit i cili do të mundësojë kushtet për bashkëpunimin ndërmjet partnerëve në mënyrë që të publikohen materiale multimediale dhe informacione të lidhura me industrinë e filmit shqiptar në një format të hapur në platforma si Wikipedia, Wikidata, Wiki Commons dhe platforma të tjera të një natyre të ngjashme duke fuqizuar në këtë mënyrë domeinin publik”, thekson Qendra Kombëtare e Kinematografisë.
Ky memorandum do të ndihmojë në realizimin e objektivave të përbashkëta të partnerëve ku objektivi madhor mbetet përmirësimi dhe pasurimi i informacionit online mbi kinematografinë shqiptare, informacion i cili në këtë formë do të jetë i hapur për publikun e gjerë. Për ta arritur këtë, Qendra Kombëtare e Kinematografisë do të japë informacionet dhe materialet e nevojshme për Open Labs dhe WCUGA. Pas marrjes së materialit, partnerët do të kontrollojnë integritetin e të dhënave për të vijuar më tej punën me publikimin në internet të tyre në platforma që respektojnë domenin publik dhe te përbashkëtën digjitale (digital commons) duke përdorur një licencë të hapur.
Projekti do të konsistojë gjithashtu në një seri edithathonesh të dedikuara të cilat do të organizohen nga anëtarët e WCUGA dhe do të mbahen në ambientet e Open Labs Hackerspace. Nëpërmjet aktiviteteve të “WikiFilmat-SQ-edithathons”, përveç shtimit apo përmirësimit të informacionit rreth industrisë së filmit në Shqipëri, do të synohet gjithashtu edhe rritja e aftësime së editorëve ekzistues mbi platformat e Wikipedia, Wiki Commons dhe Wikidata.
Sipas QKK editorët e rinj do të jenë të mirëpritur gjithashtu, të cilët do të kenë edhe mbështetjen e anëtarëve të Usergrupit për të hedhur hapat e tyre të parë me projektin e Wikimedia. /a.a/j.p/ ATA