Pas më shumë se 46 vitesh nga xhirimi, më në fund filmi dokumentar “Amazing Grace” i Aretha Franklin do të shfaqet premierë në New York, duke i dhënë fund një sage të gjatë ligjore.
Filmi u xhirua nga regjisori Sydney Pollak në vitin 1972, por mbeti për dekada pa marrë formën finale.
Tashmë filmi me të njëjtin titull me albumin e famshëm, të Franklin, do të ketë debutimin e tij final në festivalin e filmit DOC NYC më 12 nëntor.
Filmi u regjistrua për vetëm dy netë në Kishën Baptiste në Los Angeles, kur Franklin regjistroi albumin e saj, Amaizing Grace.
Problemet lindën që në nisjen pasi redaktimi rezultoi thuajse i pamundur pasi regjizori nuk arriti të sinkronizonte zërin. Vetëm në vitin 2007 producenti Alan Elliott arriti të merrte të drejtat e transmetimit ndërsa formoi një ekip, që ia doli të ndërtonte filmin dokumentar, që përfundoi në vitin 2011.
Franklin dhe avokatët e saj bllokuan transmetimin. Padia u ngrit me argumentin se Eliot nuk kishte marrë lejen e saj. Pas vdekjes së Franklin, familjarët u shprehën të hapur për të parë filmin.
“Amaizing Grace është zemra dhe shpirti i Aretha Franklin”, deklaroi të hënën mbesa e këngëtares Sabrina Owens duke shtuar se adhuruesit e saj duhet ta shohin këtë film që është aq i pastër dhe i gëzueshëm.
Filmi i gjatë 87 minuta, do të shfaqet në Los Angeles dhe New York për një javë këtë vit.
Aretha Franklin fitoi 18 çmime Grammy dhe kryesoi në 17 top Ten US për gjatë karrierës së saj muzikore që përfshiu rreth 7 dekada.ATSH