Firmoset kontrata, nis fillon puna për bypass-in e Fierit

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi se është firmosur kontrata me kompaninë kontraktore për ndërtimin e bypass-it të Fierit.

Pas përmbylljes së procedurave konkurruese të përzgjedhjes së kompanive kontraktore që do kryejnë punimet e bypass-it të Fierit dhe dorëzimit të garancisë financiare, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka firmosur kontratën me kompaninë fituese “CGC, Combined Group Contracting”.

Ministria bën publike edhe shifrën që do të shpenzohet për këtë segment rrugor. Kontrata ka vlerën e financimit 37,944,221 Euro për përfundimin e kësaj vepre.

Vetë ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri theksoi se nga dita e sotme kompania kontraktore fillon punën në terren duke ringritur kantierin me objektivin për të bërë të kalueshëm bypass-in e Fierit në sezonin e ardhshëm turistik.

Ndërkaq, në ditët e ardhshme do të kryhet dhe firmosja e kontratës me kompaninë fituese të Bypass-it të Vlorës për të mundësuar edhe aty fillimin e punës.
ATSH Nga Olsjan Laskaj

Loading...