Firmoset marrëveshja e mirëmbajtjes së tubacioneve të TAP, punësohen 52 të rinj

Kompania shtetërore shqiptare “Albgaz” dhe ajo italiane “Snam”, finalizuan me gazsjellësin TAP, marrëveshjen për mirëmbajtjen e tubacionit të gazsjellësit në territorin shqiptar.

Drejtuesi i shoqërisë shtetërore shqiptare të gazit Albgaz dha detaje për marrëveshjen e nënshkruar.

“Marrëveshja e mirëmbajtjes, e para e këtij lloji në Shqipëri, nënshkruhet midis TAP dhe Albania Gas Services Company për një periudhë fillestare 7 vjet, me një staf fillestar prej 52 të punësuarish, 90% të të cilëve të rinj shqiptarë. Ata do të trajnohen dhe do të certifikohen nga SNAM, në Itali dhe në Shqipëri, në 6-mujorin e parë të 2019. Albania Gas Services Company do të ketë ‘degët’ e saj në të paktën katër qytete të vendit: Korçë, Çorovodë, Berat dhe Fier. Ajo do të ndërtojë qendrat e veta të mirëmbajtjes, të projektuara sipas standardeve të SNAM”, theksoi drejtuesi i Albgaz Arbër Avrami.

Ceremonia u zhvillua në Tiranë, duke finalizuar negocimin për marrëveshjen e mirëmbajtjes midis TAP-it dhe shoqërisë së përbashkët të krijuar nga Albgaz Sh.a e Snam S.p.a. me qëllim ofrimin e shërbimit të mirëmbajtjes për Gazsjellësin Trans Adriatik në territorin e Shqipërisë.

Të pranishëm ishin ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, drejtori Menaxhues i TAP-it Luca Schieppatti, drejtuesi i Albgaz Arbër Avrami, përfaqësuesi i kompanisë italiane SNAM Sergio Busatto, drejtori i BERZH-it dhe ambasadorët e Zvicrës e Italisë në Tiranë.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri e vlerësoi si mjaft të rëndësishme marrëveshjen për të ardhmen e infrastrukturës së gazit në Shqipëri.

“Do ta quaja një gur kilometrik në suksesin e këtij projekti kaq kompleks si gazsjellësi TAP. Për herë të parë, një kompani shqiptare si Albgaz, me ndihmën e asaj italiane SNAM do mund të marrë përsipër kryerjen e një shërbimi për një projekt kaq të madh e të rëndësishëm si gazsjellësi TAP. Krijohet një vlerë e shtuar jo vetëm nga pikëpamja ekonomike por mbi të gjitha nga ajo që Shqipëria ka nevojë, mbajtjen e njerëzve të kualifikuar brenda vendit”, theksoi ministri Gjiknuri.

Sipas tij, suksesi i projektit të gazsjellësit TAP do të bëjë të mundur shumë shpejt edhe gazifikimin e Shqipërisë por edhe ndërlidhjen me projektin tjetër të gazsjellësit Jonian-Adriatik (IAP).

“Po ka provë të vërtetë sesi funksionon administrata shqiptare karshi investimeve të mëdha, TAP-i është shembulli i vërtetë. Shqipëria doli vendi më i suksesshëm që ky projekt të implementohej në kohë”.

Drejtori Menaxhues i TAP-it Luca Schieppati tha se “Jam me të vërtetë i lumtur që sot shënojmë një hap tjetër përpara në plotësimin e hapave infrastrukturorë strategjikë, që na sjellin akoma më pranë fillimit të operimit në vitin 2020. TAP-i është jep kontribut për zhvillimin e tregut shqiptar të gazit me krenari. Ne mirëpresim të mbështesim dhe të bashkëpunojmë me ofruesin e shërbimit të mirëmbajtjes që do të krijohet së shpejti” . /atsh

Loading...