“Nuk do t’më shohësh më të gjallë, do të vras veten”.
Këto janë fjalët e fundit, që 31-vjeçari Arjan Hoxha nga Gurra e Matit i tha bashkëshortes së tij para se të kryente vetëvrasje.
Pas zënkave të vazhdueshme me bashkëshorten, mesditën e djeshme, i riu që ishte në kërkim për “dhunë në familje”, ka udhëtuar nga qyteti i Klosit drejt fshatit Plan i Bardhë.
Pasi ka mbërritur në familjen Ndoj, me një armë në dorë ka hyrë në banesë.
Sapo ka hyrë në shtëpi dhe janë dëgjuar zënkat, fqinjët i kanë telefonuar Policisë së Klosit, duke thënë se “Një person me armë ka hyrë në shtëpinë e Xh.Ndojit”.
Fillimisht ka debatuar me vjehrrën dhe pastaj edhe me gruan, madje këtë të fundit, sipas dëshmive, e ka goditur me grushte e shkelma, madje e ka shtrënguar me duar në fyt.
Pasi ka parë që Policia po afrohej, duke u larguar nga shtëpia buzë Rrugës së Arbrit, Hoxha ka thirrur me zë të lartë “Nuk do t’më shohësh më të gjallë, do të vras veten” dhe pas kësaj, brenda pak minutave është dëgjuar një krismë arme.