Flamur Golemi: Në 30 qershor i japim Gjirokastrës ndryshimin e munguar

Kandidati për kryetar bashkie i Partisë Socialiste, Flamur Golemi në kuadër të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit ka zhvilluar disa takime elektorale në lagjen e Manalatit, ku është njohur nga afër me disa nga shqetësimet e banorëve.

Pasi vizitoi një nga lagjet më të vjetra të qytetit të Gjirokastrës, Golemi u shpreh se në zgjedhjet e 30 qershorit ka ardhur koha që ky qytet të njohë edhe ndryshime, ku sipas tij pushteti lokal nuk ka treguar vëmendjen e duhur ndaj qytetarëve gjatë katër vjetarit të parë.

“Takimi i radhës në ‘Manalat’, një prej lagjeve më të vjetra të Gjirokastrës dhe që historikisht ka mbështetur Partinë Socialiste. Kjo mbështetje nuk do të mungojë as në 30 qershor.

I kemi të gjitha mundësitë t’i japim rrugë një ndryshimi të madh, që i ka munguar Gjirokastrës. 

Për fat të keq koha provoi se katër vitet e fundit ishin të çuara dëm për sa i përket vëmendjes që pushteti lokal duhet të kishte ndaj qytetarëve. 30 qershorin duhet ta shfrytëzojmë mençurisht.

Kemi shumë punë për të bërë në Gjirokastër dhe kaq pak kohë për të humbur duke u marrë me ata që lanë zgjedhjet nga frika e humbjes”, u shpreh ai./atsh

Loading...