“Flamuri i këngës” – Nga Sejmen Gjokoli

FLAMURI I KËNGËS – Nga Sejmen Gjikoli

-në vend të homazhit për këngëtarin Flamur Haxhiaj-

Kanë kaluarr gati 25 vite nga ay gusht i 1995 kur me Grup Folk ” Bilbili” të Vlorës do të merrnim rrugën për në Moldavi, në festivalin folklorik të Criulenit.

Në përbërje të grupit do të ishte edhe Flamuri, madje i vetëm në strukturën e këngëtarëve të muzikës popullore, ndërkohë që këngëtarët e polifonisë dhe valles burimore do ishin në mazhorancë.
E kam edhe sot në sy angazhimin plot pasion e dëshirë në të gjitha performancat e ditëve të festivalit, në skenë e jashtë skene, kudo që shkuam në ditë qëndrimet moldave.

Me kostumin karakteristik të këngës qytetare vlonjate, si pasardhës i burrave të kësaj kënge, Osmani e Thana, Haxhiaj edhe i vetëm do ta përcillte me aq shumë freski e ëmbëlsi melosin e kësaj pasurie shpirtërore të qytetit bregdetar të Vlorës.

Po jo vetëm melosin e këngëve jugore.

Me të njëjtin pasion Flamuri do të interpretonte edhe këngët popullore të shqipërisë së mesme e ato të veriut, ku atë shkodrane dukej se i kishte më për zemër.

Sa herë, i shoqëruar edhe nga djemtë e orkestrës Dobi, Dhamo, Furxhi e Çifçiu, do të ngrinte publikun më këmbë e do shoqërohej nga të pranishmit me duartrokitje.

I qeshur, i dashur, plot kulturë e etikë në çdo hap e mjedis, mes e midis shokësh.
Asgje se ndante nga kënga popullore, nga melosi i saj plot shkëlqim e timbrikë folku edhe pse studimet i kishte kryer për kanto e muzikë klasike.

Në kthim, gjatë kalimit të Danubit, aty në ujrat që ndajnë e bashkojnë bullgarët me rumunët, do niste prapë kënga e vallja shqipe.
Flamuri, si gjithëmonë, i pa përtuar për ta shoqëruar koncertin e improvizuar mbi platformën ujore, me këngë, me zërin e tij plot ëmbëlsi e melodi.

Kështu do ta mbaj mend këtë njeri, këtë këngëtar të këngës së bukur vlonjate e shqiptare, përqafuar si vëllezër mbi Danub.

Lamtumirë e i pa harruar, Flamur Haxhiaj, artisti vlonjat i këngës!

Loading...