Nuk ka pasur probleme të shëndetit mendor’, kjo ishte një nga frazat e thëna nga komshinjtë e Gerti Shehut, 31-vjeçari, I cili sulmoi ish-kryeministrin Sali Berisha.
Ndonëse që ditën e djeshme vetë nëna e tij ka thënë se prej pesë vitesh ai vuante nga çrregullime të shëndetit mendor dhe merrte ilaçe, fqinjët e tij nuk e konfirmojnë këtë gjë. Madje një prej tyre thotë se ai konsumonte lëndë të ndryshme narkotike dhe ishte besimtar i besimit islam.
“Pinte drogë, hashash po si duket pinte edhe nga ato të tjerat. Po me shumë mundësi konsumonte edhe shumë të tjera. Punonte në disa piceri. Ishte besimtar, sa herë kalonte na përshëndeste me fjalë të besimit islam. Nuk ka qenë person problematik në lagje”-u shpreh një prej fqinjëve.
Një tjetër prej fqinjëve, tha se veprimi që kishte bërë i riu ishte si pasojë e një ngarkese psikologjike që mund t’i kishte ndodhur nga gjuha e ashpër mes politikanëve dhe situata në vend.
“Më kishte thënë që është i sëmurë ai djali. Këta njerëz ngarkohen vetë, karikohen nga këto llafet. Ndac të djathtët e të majtët kanë gjuhë sherri në parlament dhe këta njerëz ngarkohen psikologjikisht. Është si puna e tifozëve. Një herë e kam parë atë djalin, ka qenë i sëmurë. Mbesa ime më ka thënë që është nga Tepelena, ka familje shumë të mirë. Ai ka vepruar gabimisht”-tha një tjetër prej fqinjëve.