Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj i ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24 komentoi deklaratën e raportuesit për Shqipërinë, Knut Fleckenstein të bërë sot pas takimeve në Tiranë me përfaqësues të mazhorancës e opozitës.
Ndërsa Fleckenstein tha se ishte zhgënjyer me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhin.
“Zonja Kryemadhi ka shprehur vetëm vendosmërinë për të mos u kthyer mbrapsht, me gjuhën e saj të drejtpërdrejtë ka shprehur se Shqipëria është e shqiptarëve dhe këtu vendosim ne.
Kjo i jep rast Fleckenstein të shprehet për të.
Ajo nuk është liderja e opozitës është krahu i opozitës, pra do ishte më e vështirë që ai të fliste për Bashën.
Gjuha e tij është si gjuha e Ramës, konfirmon qëndrimet e njëanshme. Ai në asnjë rast nuk ka dalë nga simpatitë e tij si socialdemokrat”.
Deklarata e Knut Fleckenstein për Kryemadhin:
“Dje patëm disa shkëmbime të mira me disa ndoshta ish deputetë. Së pari me Bashën. Ne e bëmë të qartë se ne e kuptojmë nga njëra anë argumentet e tij, por edhe nëse opozita ka të drejtë me akuzat, bojkotimi i Kuvendit nuk zgjidh problemet.
U çudita, por edhe u zhgënjeva shumë nga kryetarja e LSI-së për arsye se ajo tha një fjali në fund të takimit, duke thënë që ata e kanë marrë vendimin që në Shqipëri ka nevojë për ndryshim pushteti, për shoqërinë, për vendin dhe se nëse europianët nuk e kuptojnë nuk është problemi i saj.
Duhet ta kuptojnë se në cilën anë ndodhemi ne”.