Flet arkitektja që prodhon maska falas për mjekët në Shqipëri: ‘Kërkesa shumë më e madhe nga ajo që kemi mundësi’

Dea Buza është një arkitekte nga Kosova e cila prej një viti punon në Bashkinë e Tiranës.

Së bashku me babain e saj në Kosovë, Dea e cila është edhe pedagoge, ka ndërmarrë një nismë për të prodhuar falas me printer 3D maska mbrojtëse për mjekët dhe infermierët që në këto ditë po bëjnë punën thelbësorë në luftën me koronavirusin.

Edhe pse me mungesë të theksuar të mjeteve, ajo shprehet se po mundohet me çdo kusht për prodhimin e maskave, të cilat shërbejnë si linjë e dytë mbrojtëse.

Në këtë nismë ajo thotë se ka gjetur mbështetjen e shumë njerëzve, ndërsa po ndihmohet edhe nga një mik i saj. Sipas Dea në fillim kishte objektiv të prodhonte deri në 100 maska, por deri më tani kërkesat për këto lloj maske kanë qenë shumë të larta.

“Kjo nisëm filloi nga im atë që është në Kosovë, me atë rast dhe unë po koordinoi pjesën e Shqipërisë. Ideja është qe ne ti vijmë në ndihmë doktorëve që janë në vijën e parë me virusin me prodhimin e maskave. Prodhimi i kornizës bëhet i mundur nga printeri 3d. Ideja është që kjo maska ka dy pjesë. Letrën transparente që gjendet te dosjes, kjo është pjesa mbrojtëse e cila është e larguar nga fytyra.

Kjo u jep mundësinë doktorëve që poshtë kësaj maskë të vendosin maskat e gojës dhe të hundës, por edhe syzet. Kjo është masa dytë mbrojtëse e cila quhet ‘second line protecton mask’.”

Deri më tani numri i kërkesave për maska?

“Kur filluam nismën ne vendosëm kontakt me doktor Arben Gjatën, që është edhe rektori i Universitetit të Mjekësisë së Tiranës, ku bashke me të kemi bërë edhe një takim me drejtorin e spitalit të QSUT. Këta na kanë thënë se kanë nevojë për 500 maska, domethënë vetëm si QSUT. Sakaq kemi kontaktuar me drejtorin e spitalit të Shkodrës ku dhe ai ka shprehur dëshirën për 200 maska. Po ashtu dje kemi marrë edhe kërkesa nga Korça.

Në fillim si kërkesë kishim 700 copa, por tani kërkesa po rritet. Por mundësia jonë është më pak, mund të prodhojmë deri në 100 copë. Ne në fillim e kemi nisur me mbulim financiar tonin, por tani është bashkuar edhe një kolegu im, që është arkitekt. Ky ka një studio dhe një printer 3d dhe falë tij po bëjmë prodhimet.”

Kur keni nisur me prodhimin e maskave? A keni dorëzuar disa prej tyre deri më tani?

“Kemi katër ditë që nuk po ndalojmë. Dje kemi bërë edhe donacionin e parë, diku te 90 copa që i kemi dërguar në Ministrinë e Shëndetësisë. Nga aty doktor Arbeni i ka dërguar në QSUT. Ideja është që edhe njerëzit të solidarizohen me ne sepse duam që të rrisim prodhimin. Këtu në Shqipëri ka diçka sepse nuk ka njerëz që kanë printer 3d. Kjo po ngadalëson të gjithë punën e prodhimit, ç’ka është e kundërta me atë që po ndodh në Kosovë.”

Deri më tani iu kanë përkrahur, iu kanë bashkuar nismës?

“Deri më tani iu bashkuar nismës. është një kolegu im Gerti Struga, që edhe ai ka bërë një printim prej 50 copësh i cili më ndihmoi që të kapin shifrën e 100 maskave të cilët e dorëzuam dje në QSUT. Por kjo besoj mbaroi me kaq. Tani është lajmëruar edhe një person tjetër që ka printer 3d, por duhet të presim.

Në fakt njerëz të thjeshtë kanë kërkuar që të solidarizohen dhe ne kemi hapur një link ‘paypal’ që gjithsecili po kontribuon. Deri më tani kemi kapur shifrën e targetit 2500 eurove dhe ne do bëjmë porositë e para që do marim materialin e filamentit plastik që prodhon maskat. Ka shumë mundësi që do marrim edhe dy printera të tjerë 3d të cilat do ta çojnë në tre numrin e tyre. Printarat kanë një orar që prodhojnë. Domethënë nëse dita ka 24 orë printarat kanë marzhin diku te 18 orë. ”

Këto printarat do blihen?

“Këto printerat do blihen me lekët që kemi mbledhur dhe në fund kur kjo emergjencë do të mbarojë ne do t’ia dhurojmë universitetit të Mjekësisë së Tiranës.”

Loading...