Diplomati Idriz Konjari ka qenë i ftuar në studione e emisionit “Me Xhaxhiun” nga Rezear Xhaxhiu në Fax News, për të folur lidhur me konfliktin Rusi-Ukrainë sa i përket rrezikut për zgjerimin e përmasave të këtij sulmi të ndërmarrë nga rusët të cilët kanë marrë në dorë edhe centralin bërthamor të Çernobilit.
Ai u shpreh se Putin edhe përse nuk e kishte shprehur në mënyrë të formalizuar, kishte në mendje ngjitjen e Rusisë në vendin ku ishte gjatë kohës së Bashkimit Sovjetik. Konjari tha se presidenti rus nuk do të mjaftohej vetëm me Ukrainën por do të vazhdonte më tej duke krijuar një bllok të tërë ku përfshihej Bjellorusia, Ukraina, Kazakistani dhe më vonë edhe Azerbajxhani.
Konjari: Unë gjykoj që perëndimi duhet të bënte këto veprime që ka bërë këto tre ditë. Pra perëndimi këto tre ditë arriti të evitojë atë burokracinë klasike dhe të eleminojë vonesat dhe për më tepër të jetë i bindur që ka përpara një putin që nuk është ai që është treguar deri në këto moment.
Pyetje: A mendoni se Putin përvec Ukrainës do të drejtohet edhe në shtete të tjera?
Konjari: Putin nuk është një person që vjen nga hiçi. Në kokën e tij edhe pse nuk është e formalizuar unë gjykoj se është një doktrinë e caktuar. Rikthimi i Rusisë në atë periudhë që ai nuk e ka mohuar. Po të shohësh këtë e ka shprehur në deklaratat e tij. Po të dëgjosh, ai thotë se rrëzimi i Bashkimit Sovjetik ishte një katastrofë. Po të dëgjosh edhe të tjerë mendojnë se Rusisë i është bërë një padrejtësi. Ka ekzistuar në mendjen e rusëve fakti që kanë qenë një vend i madh dhe se duhet të rikthehen në ato pozita. Nuk është hera e parë që Rusia vepron kështu, sepse shpesh ka injoruar edhe ligjet ndërkombëtare. Europa e ka injoruar këtë ndërsa SHBA jo.
Pyetje: A e kanë “prerë në besë” Rusinë pasi në vitet 90 i patën garantuar se nuk do kishte avancime të anëtarësimeve të NATO-s pranë kufijve rusë?
Konjari: Tani që flasim synimet e Putin mund të jenë që jo vetëm me Ukrainën por edhe me Bjellorusinë dhe Kazakistanin të krijojë një bllok dhe më vonë mund të përfshihet edhe Azerbajxhani.
Ndërsa mendoj se Suedia dhe Finlanda nuk mendoj se janë opsion i Putin. Fakt është që Finlanda ka arritur të bashkëjetojë dhe të rrijë në marrëdhënie të mira me Rusinë deri më tani.