Ka folur i fejuari i Martina Pajollarit, një e re nga Maliqi, pasi grupi hetimor ka siguruar prova që e implikojnë atë në vrasjen e të dashurit të saj, Martin Çeço.
Ajo dyshohet se ka parë nga afër mbytjen me litar të tij dhe hedhjen në rezervuar. Ai theksoi se me Martinën njiheshin prej 3 muajsh dhe se ajo i ka thënë se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen dhe vrasjen e Martin Çeços.
“Unë jetoj në Marjan prej dy vitesh dhe merrem me bagëti këtu në mal. Njihem prej 3 muajsh me Tina Pajollarin, kemi folur prej 15 ditësh në telefon dhe pastaj jemi takuar. Më pas jemi lidhur, qëndruam prej 15 ditësh në fshat dhe pastaj e mora në shpi. Ne të martuar nuk jemi me letra, por familjes së saj iu thashë që unë Tinën do ta marr për nuse”, tha ai.
Ai beson tek pafajësia e të fejuarës, ndërsa shton se: “Unë e dija për çështjen dhe e kam pyetur disa herë për vrasjen e Çeços. Qan kur e pyes. Nuk është e vërtetë mendoj, është e pafajshme. Arrestimin e Tinës e mësova ndërsa isha këtu në fshat, dhe morëm vesh se kishte ardhur urdhër-arresti. E kam çuar vetë te Prokuroria. Pasi doli në orën 4, më thanë që “ka bërë vrasje me paramendim”’, u shpreh i fejuari i Martina Pajollarit, për emisionin ‘Uniko’.