Flet Lediola Kojanaj, Nëntogerja e bazës ushtarake Pashaliman – ‘Kam qenë efektivja e parë femër e Forcës Detare që…’

Forca Detare tashmë një forcë moderne dhe profesionale, ka bërë një rrugëtim të guximshëm për ringritjen e saj, qoftë në aspektin e logjistikës të mjeteve e pajisjeve, në terma të ekspertizës, apo çfarë është më e rëndësishme në atë të ngritjes të burimeve njerëzore. Janë pikërisht këto burime njerëzore që me përkushtimin për detyrën, me pasionin për profesionin lujanë një rol domethënës në përfaqësimin e Forcave të Armatosura në vend dhe në misionet e NATO-s.

Më poshtë një intervistë për shtypin ushtarak me nëntoger Lediola Kojanaj, efektiv i Forcës Detare, shef i Qendrës Shëndetësore në Repartin 2004 Pashaliman.

Nën uniformën ushtarake të Forcës Detare, ju nëntoger Lediola Kojanaj, shërbeni prej 4 vjetësh, kohë relativisht jo shumë e gjatë në FA, por që ne ju kemi përzgjedhur të na tregoni për ekperiencën tuaj individuale në FA. Si u bëtë pjesë?

Eksperienca ime në Forcat e Armatosura dhe specifikisht në Forcën Detare, është e ngjashme me atë të dhjetra e qindra vajzave dhe grave nën uniformë që kanë nisur rrugëtimin e tyre të bukur, të vështirë dhe tepër sfiduese nën uniformë, pasi është bukur të bëhesh pjesë e Forcave të Armatosura, e sidomos kush ka ëndërruar për të. Pra të jesh pjesë e Forcave të Armatosura, profesion, që menjëherë sapo dëgjon për të, të duket si një profesion që kur e sheh nga jashtë FA-së, mendon se është profesion vetëm për burrat, por që tashmë jemi edhe ne femrat të rreshtuara krah tyre, si në çdo fushë tjetër të jetës. Ka qënë viti 2017, falë njoftimeve të Ministrisë të Mbrojtes, kohë kur unë dëgjova që kishin filluar aplikimet për Akademine e oficerëve të rinj. Menjëherë nisa procedurën e dokumentacionit që duhej të plotësoja, pasi nuk ishte e lehtë të bëheshe pjese e FA-së. Është një dokumentacion, që do të jetë ‘certifikata’ jote e parë për të hyrë në botën e bukur të uniformës, por që të arrije deri atje duhet të kaloje disa faza. Pra janë disa faza tepër të rëndësishme që ti të behesh pjesë. Për shembull është faza e parë testimi fizik, pra është është hapi i parë që çdokush duhet të kalojë për të përballuar vështirësitë e stërvitjes që do të pasojnë udhëtimin tënd të mëpasëm. Po kaq i rëndësishëm është testimi intelektual dhe psikologjik, gjithashtu. Pas gjithë testimeve të nevojshme që kërkonte përzgjedhja e kandidaturave, që për mua për të qenë e sinqertë nuk ka qenë shumë e lehtë, unë shpallem fituese. Gëzim i madh, krenari e madhe por njëkohësisht dhe përgjegjësi e madhe. Nën këtë atmosferë tepër emocionuese dhe të paprituara fillova kursin që zgjati prej 9 muajsh.

Si ishte të përshtateshe me jetën ushtarake, me disiplinën që është rregulli numër një i performancës të asaj se nga duhet të nisë udhëtimii i një ushtaraku por sidomos për një student ushtarak, siç janë orët e stërvitjes apo ato të studimit, por edhe disa kufizime specifike që e dallon këtë kategori edukimi nga shkollimi civil. Ishte kjo një sfidë për ju?

Po sigurisht, fillimi nuk ishte aspak i lehtë. Duhet të përshtateshe tashmë me zgjedhjen tënde, me jetën ushtarake, së cilës ti vetë i kishe trokitur në derë, duhet të përshtateshe me rregullat strikte, displinën, stërvitjet e shumta, orarin preciz, kohën e studimit, etj. Gjithçka ka qënë një sfidë shumë e madhe për mua, sepse nuk mjafton vetëm dëshira, ajo është vetëm gjysma e punës. Pjesa tjetër është vullneti për t’ia dalë, vullneti për të ecur, për të mos u dorëzuar, apo për të mos u kthyer , është sedra jote dhe premtimi që ti i ke bërë vetes kur do shumë të arrish objektivin që ti ke marrë përsipër. Gjithçka hap pas hapi bëhet pjesë e karrakterit tënd në udhëtimin ushtarak, që nga momenti kur ti hyn në rresht dhe bëhesh pjesë e sfidave që në fillim, me orarin, rregullin, disiplinën. Ti formësohesh nëse kërkon brenda vetes për t’ia dalë. Pra ato 9 muaj ishin jo të lehtë per mua pasi duhet të përshtatesha siç e përmenda më lart me jetën ushtarake, me disiplinen që në Forcat e Armatosura ishte rregulli numër 1 i performancës të asaj se nga duhet të nisë udhetimi i një ushtaraku siç janë orët e zgjimit, orët e stërvitjes dhe orët e studimit, pse jo siç e thatë dhe ju, edhe disa kufizime specifike që e dallonte shkollën ushtarake nga një shkollë civile, si nga ajo që unë kisha kryer më parë.

A kishit ju një model të mëparshëm që ju ndikoi për t’u bërë pjesë dhe për të shërbyer në FA?

Po sigurisht. Kam pasur në familjen time figura ushtarakësh që punonin në Forcat e Armatosura. Por kam përshtypjen se uniforma e ushtarakut është tërheqëse, dhe edhe sikur të mos kisha pasur dikë nga familja, si figurë ushtarake, që të më të fliste lidhur me ushtrinë, do ta doja po njëlloj dhe do të kisha po të njëjtin vlerësim. Mendoj se uniformën ushtarake e kam dashur edhe më parë, pasi ajo personifikon forcë, guxim, gatishmëri dhe besim. Pra është një uniformë që frymëzon dhe besoj se këtë duhet ta kem ndjerë që në fëmijëri. Ishte dikush pjesë e famijes time, siç e thashë, ai ishte burri i hallës time, që më kishte treguar gjithashtu edhe për vështirësitë, që nuk është e lehtë, por dhe që të punosh në FA është një gjë shumë e bukur, por nga ana tjetër ai më kishte thënë se është gjithashtu po aq dhe me shumë përgjegjësi. Ndaj duhet vendosmëri nëse do të bëehesh pjesë e FA-së. Pastaj vite më vonë kam dëgjuar për gra e vajza ushtarake, për ecurinë e tyrë në karrierë, për përparimin e tyre në gradë, gjë që u bënë për mua më vonë shembuj frymëzimi.

Kush ka qenë emërimi juaj i parë, në FA pas titullimit oficer dhe me gradën e parë ushtarake nëntoger? Si u ndjetë në punën tuaj të parë?

Siç ju tashë pas një periudhe 9 mujore, të mbushur me orë stërvitje, trajnime, aktivitete, më në fund çdo sakrificë, nëse e quajmë të tillë, u shpërblye dhe unë u titullova officer, me gradën nëntoger. Emerimi im i parë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, më pëlqen ta shqiptoj të gjithë termin, sepse ishte një krenari e paparë, ka qenë shef i Qendrës Shëndetësore në Repartin 2004 Pashaliman. E kisha dëshiruar shërbimin tim në atë qendër në fakt, më pëlqente që unë të shërbeja atje. Unë jam nga Vlora, jam lindur ne Vlorë dhe jam rritur atje. Fëmijërinë dhe adoleshencën time i kam kaluar me shkëlqimin e detit në sy. Kam lindur në vitet e para të demokracisë, vite të vështira për të gjithë, por të bukura për ndryshimin e madh që e priste vendin. Ka qenë pikërisht viti 1994. Nga Radhima ime e bukur e lindjes, nga Orikumi ku u shkollova më tej, nga Vlora jam larguar në vitin 2011, kur më duhej të studioja në Fakultetin e Mjekësisë dhe tashmë po kthehesha, pranë detit tim, me uniformën e Forcave Detare në Pashaliman. Ishte diçka e bukur ajo që kisha arritur. Isha krenare. Çdo vajzë do ishte krenare, njëlloj si unë. Isha bërë oficere, pjesë e Forcave Detare të FA shqiptare, gjë që nuk kishte qënë e lehtë. Ëndra ime më e bukur ishte bërë realitet.

Sa e rëndësishme është të jesh pjesë e bluzave të bardha të FA, por njëkohësisht dhe pjesë e Forcave Detare?

Në aplikim tim për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura, siç ua theksova që në fillim, unë vija nga një shkollim tjetër i mëparshmë, sepse ky ishte dhe kriteri i parë që kërkohej për t’u pranuar në fazat e mëtejshme të testimit, pra të kishe mbaruar një fakultet që ti të bëheshe pjesë dhe të vazhdoje më tej studimet ushtarake. Unë vija nga një shkollim mjekësor, pra vija me një diplomë mjekësie. E doja shumë profesionin tim dhe isha e dashuruar me bluzën e bardhë që më përfaqësonte dhe me humanizmin që e kisha bërë pjesë të karrakterit tim. Por tashmë mbartja me vete dy dashuri të mëdha, së bashku me formimin tjetër, atë të ushtarakut, për të shërbyer më mirë pranë njerzve nën uniformë. Roli i mjekut është një detyrë sa e vështirë por edhe aq humane. E konsideroj veten me fat që unë gjendem pranë njerëzve të cilët kanë më shumë nevojë se kushdo për shërbim dhe pozitivitet kur ata ndjehen të brishtë. Por gjithashtu kam dhe rolin e ushtarakut, forcën, vendosmërinë, autoritetin që të jep uniforma dhe jo vetëm. E di që për të qenë një femër në fuksion të tillë në Forcat e Armatosura jam e përgatitur dhe e vendosur të luftoj e të fitoj në çdo lloj sfide dhe vështirësie me të cilat mund të përballem, gjithmonë në përmbushje me suksese të detyrës që kam ndaj Atdheut.

Kush ka qenë sfida juaj më e madhe deri tani në FA, që ka shënuar shërbimin tuaj nën uniformë?

Jeta ushtarake në vetvete është sfiduese pa dyshim dhe, sfidat që ti has në përditshmërinë tënde janë të natyrave të ndryshme sigurisht. Por sfida ime më e madhe në Forcat e Armatosura, që doja ta quaja kryesfidën time ka qenë ajo e datës 13 janar e vitit 2019 kur unë përzgjidhem si një ndër efektivët e anijes “BUTRINTI” për të qenë pjesë e Misionit në Detin Egje. Ishte një sfidë që nuk mund ta shmangja apo që të mund t’i thoja jo. E kush do t’i thoshte?! Isha bërë pjesë e ekuipazhit të 11-të në të cilin do të na duhej të patrullonim në det për 3 muaj si efektiv. Ishte totalisht një eksperience e re për mua sa aq e veçantë, aq dhe me shumë përgjegjësi. Një emocion i papërshkruar, por edhe i paharuar që do të më mbetet, ishte ai në ditën e parë të nisjes së bashku me urimin “Erëra të mbara”, për ekuipazhin e anijes “BUTRINTI”, pra dita e parë në misionin e NATO-s në Detin Egje. Ishte një sfidë, por një sfidë që rezultoi me shumë sukses për ne të gjithë si përfaqësues të Forcave të Armatosura në atë mision. Ne ishim në të njëjtin nivel përkrah aleatëve në këtë operacion të rëndësishëm. Nisja jonë u bë nga Baza Detare Pashaliman Vlorë, ku u zhvillua dhe ceremonia e përcjelljes së kontingjentit për në operacionin e NATO-s në detin Egje, ishte një ceremoni ku pasoi me morjen në dorëzim të Flamurit Kombëtar. Ceremoni përcjelljesh dhe të kthimit në atdhe të kontingjenteve të anijeve pjesëmarrëse në mision sjellin krenari dhe emocion. Forca Detare shqiptare ishte pjesë e patrullimit në Detin Egje dhe unë së bashku me efektivin ishim pjesë në kuadër të kontributit me forcat aleate të NATO-s, ku gjatë patrullimeve anijet tona shqiptare kanë ndërmarrë një sërë operacionesh për shpëtimin e jetës së emigrantëve.

Pra ju veçoni si sfidën tuaj më të madhe, atë si pjesë e efektivit të anijes “BUTRINTI”, në Misionin e Detit Egje. Ishte hera e parë e pjesëmarrjes së një femre nën uniform në këtë mission. A është e vështirë për një femër të jetë pjësëmarrëse në një mission të tillë siç ishte ai i Detit Egje? Çfarë do të veçonit?

Po. E vërtetë, hera e parë për një efektiv femër të Forcës Detare që të ishte pjesëmarrëse në një mision të tillë detar, patrullim në Detin Egje për 3 muaj. Të marrësh pjesë në një mision ndërkombëtar është sfidë për çdo ushtarak të FA, i çfardo force që të jetë, pa veçuar gjininë, si për meshkujt edhe për femrat. Ju e dini që në misionet e tjera të NATO-s, ku FA ka qenë pjesëmarrëse, ka pasur edhe ushtarake femra. Por misioni ku unë isha pjesë jo vetëm që ishte i pari për mua, por ishte gjithashtu dhe misioni i parë ku kishte pjesëmarrës, efektiv femër. Unë jam krenare për misionin tim. Jam krenare dhe e nderuar që isha pjesë edhe pse ishte një nismë e vështirë për një femër dhe sidomos për një nënë. Ju më pyetët se çfarë do të veçoja nga ky mision? Ka pasur shumë momente që do t’ia vlente që unë t’i përmendja sepse mendoj se një mission detar, ka veçoritë e tij nga ata tokësorë. Por unë si një ushtarake e FD, por dhe pjesë e bluzave të bardha do të veçoja një rast në mision në Detin Egje. Një efektiv i anijes ra në depresion dhe nuk po e përballonte dot qendrimin brenda në anije për një periudhë kohore të gjatë, siç e kërkonte detyra, kjo sepse ai nuk ishte mësuar me detin. Kjo situatë ishte shumë e vështirë edhe për mua, dhe, edhe pse u kapërcye kjo gjë, ende sot ai efektiv ka ngelur në kujtimet e mia. Kjo sepse unë isha mjeku dhe ushtaraku, dhe siç e thashë edhe më lart roli i mjekut është një detyrë që për të qënë pranë me atë që ke mësuar në shkollë, me përvojën por dhe me dhumë pozitivitet.

Loading...