Flet sizmiologu Edmond Dushi – A rrezikohet Shqipëria nga tërmetet?

Greqia është përfshirë nga lëkundje sizmike që në disa raste kanë qenë edhe të forta, si ato 3.9 dhe 4.2 të shkallës Rihter, që tronditën zonën bregdetare të Zakynthos dhe Athinën.

Sizmiologët grekë kanë dhënë alarmin për të tjera lëkundje, ndërkohë që Ballkani dhe vendi ynë janë të prirur të preken nga tërmetet.

Sizmiologu Edmond Dushi thotë se bazuar në analizën statistikore të katalogut të tërmeteve të ndodhur në Shqipëri dhe në kufij me të, 2020 e në vazhdim pritet të jetë një periudhë më aktive.

Ai shpjegon se zona me karakteristika të tilla gjeologo-tektonike preken nga tërmete të forta.

“Shqipëria dhe Ballkani në tërësi është e prirur të preket nga tërmete. Më e rrezikuar është zona greke e harkut të Egjeut, ku pllakat tektonike i nënfuten dhe mbihipin njëra-tjetrës.

Këtu vërehet edhe aktivitet vullkanik. Kam parasysh rajonin e prekur rishtaz nga tërmetet në Greqi. Tërmeti i Athinës 5.1 ishte më i dobët nga ai që preku jugun e Shqipërisë, aktiviteti i të cilit vazhdon edhe sot.

Natyrisht që edhe tërmeti i Athinës do vazhdojë të ndiqet nga tërmete të tjerë. Mos të harrojmë që Greqia çdo vit goditet nga një tërmet mbi 6 Richter”, shpjegon profesor Dushi.

Por a është Shqipëria e rrezikuar nga tërmetet? Profesor Edmond Dushi shpjegon dhe zonat sizmogjene, ku spikasin zona jonike, adriatike dhe bregdetai dalmat ku respektivisht priten magnituda të rendit 7.0 dhe 7.2. Gjithashtu dhe zona Lushnje-Elbasan-Dibër dhe Ohër-Korçë me magnitudë 6.9 dhe 6.8 Richter.

“Ndërkohe, gjithë territori i Shqipërisë ndahet nga studiuesit sizmolog në disa zona sizmogjene. Pra zona me karakteristika të tilla gjeologo-tektonike që të preken nga tërmete të fortë.

Këtu spikasin zona Jonike, Adriatike dhe e bregdetit Dalmat, ku respektivisht priten magnituda të rendit 7.0 dhe 7.2 përkatësisht. Gjithashtu zona Lushnje-Elbasan-Dibër dhe Ohër-Korçë me magnituda 6.9 dhe 6.8 Richter. Pra, me pak fjalë, këto vlera janë potenciali maksimal sizmik i pritshëm për territorin tonë, të cilat kushtëzohem nga shtrirja volumore e thyerjeve tektonike autoktone që maksimalisht kanë gjatësi të kufizuara të rendit nga disa dhjetra, deri maksimumi 50 km në disa raste.

Statistikisht, janë vrojtuar nga tërmetet e monitoruar që nga vitet 1900 e këtej, për tërmetet më të mëdhenj se 6 Richter, që ka një periodicitet midis periudhave me aktivitet të lartë sizmik dhe të ulët. Ky periodicitet përfshin periudhat me kohështrirje 13, 22 dhe 30 vjet. Ja po marrim 30 vjet…periudhat me aktivitet të ulët variojnë mesatarisht 43 vjet. Pra, do të thotë që pas tërmetit të ‘67 dhe atij të ‘79, që çliruan një energji të konsiderueshme sizmike për rajonin, 2020 e në vazhdim, pritet të jetë një periudhë më aktive. Kjo do të thotë që tërmete do ketë, por se ku, kur dhe sa të fuqishëm do jenë, kjo nuk mund të thuhet. Nuk është arritur në ndonjë konkluzion që të tejkalohen kufizimet nga vlerat e përshkruara më sipër”, sqaron profesor Dushi.

Kujtojmë që rajoni i Korçës është ende në aktivitet të lartë sizmik, ndërkohë që tërmeti i pak kohëve më parë la pa shtëpi banorë të fshatit Floq./tirananews.al/

Loading...