Lajmi se dy trupa të pajetë janë gjendur në pyllin e fshatit Lam Lukaj të Lezhës, tronditi jo pak opinionin publik.
Në atë pyll mbetën të vdekur rapsodi Kol Murrani dhe miku i tij Preng Simoni.
Policia së fundmi njoftoi se kanë vënë në pranga autorin kryesor të këtij krimi, Aleksandër Perdoda, si edhe është vënë në kërkim vëllai i tij, i cili dyshohet se është bashkëpunëtor në ngjarje.
Sakaq, ndryshe nga policia, e cila pretendon se konflikti ka ndodhur për shkaqe pronësie, i vëllai i Preng Simonit, në një intervistë për emisionin “Shqipëria Live”, u shpreh se familja e tyre nuk ka konflikte me asnjë dhe se për ta kjo vrasje ende mbetet një mister.
“Lajmin e morëm nga familja e vëllait, ata na thanë që kishte ndodhur kjo ngjarje. Morëm në telefon vëllanë s’na u përgjigj njeri dhe më pas shkuan disa njerëz për të marrë vesh dhe u mor vesh fatkeqësia.
Nuk kemi pasur problem me asnjeri, nuk e dimë se përse ka ndodhur. Ai tha po iki në fshtat dhe ndodhi ngjarja. Kemi pasur shtëpinë e vjetër, shkonte punonte. Nuk kemi pasur problem me asnjeri, as për pronësi asnjë gjë. Nuk kemi asnjë lloj problemi në lidhje me pronësinë. Policia na pyeti, siç po pyesni ju dhe aq. Për ne është ende mister dhe nuk dimë se si ndodhi kjo ngjarje”, u shpreh vëllai i Preng Simonit.