Një nga lajmet kryesore të ditës së sotme ishte pikërisht largimi i Flor Binaj nga Portokallia. Një gjë që përflitej prej disa ditësh, por sot aktori doli me një qëndrim zyrtar përmes një postimi të gjatë në rrjetet e tij sociale.
Menjëherë pas këtij lajmi, Flori ishte i ftuar në “Dite pas Dite”, ku foli për largimin pas 18 vitesh nga Portokallia, arsyet e tij, ftesat nga politika dhe planet për të ardhmen sa i takon karrierës.
Aktori i humorit tha se tashmë kishte 18 vite jetë pa Portokallinë, dhe 18 të tjera me të, por largimi i tij nuk ishte për arsye politike ashtu sic u përfol në portale. Këto dyshime kanë ardhur pasi së fundmi Flori është shfaqur gjithnjë e më aktiv nëpër protestat e organizuara për rritjen e çmimeve.
“Ka kaq shumë padrejtësi të vogla që ndodhin para syve tanë dhe padashje ne i lëmë këto padrejtësi të bëhen mullar i madh dhe sot është e vështirë të luftosh kundër këtij mullari,” u shpreh Flori në “Ditë pas Dite”.
Ai iu bëri thirrje popullit të dalë në protestë për të kërkuar të drejtën e tyre. Gjithashtu konfirmoi edhe njëherë se jo vetëm që nuk ka në plan të përfshihet politikisht, por madje nuk ka marrë asnjë ftesë.
“Kaq vite kanë qenë mjaftueshëm për t’ju treguar qytetarëve sa të aftë apo paaftë janë kjo klasë politike. Unë nuk e di a ka qenë kaq keq gjithmonë se ndoshta nuk e kemi kuptuar se kemi qenë më të vegjël , por për mua kjo është një betejë e përjetshme që kur është krijuar universi mes të mirës dhe të keqes,” shtoi Flori.
Ndërkaq, sa i takon projekteve të ardhshme, aktori tha se filmi i animuar 3D “Skanderbeg” do të përfundojë së shpejti dhe pas realizimit do të shfaqet për publikun. Gjithashtu ai tha se do të merret me një problem që kanë prej vitesh artistët shqiptarë që lidhet me të drejtat e autorit.