Florjan Binaj revoltohet:”Është e tmerrshme që qeveritë, ministritë dhe të gjitha pushtetet lejojnë një vrasje të tillë të shëndetit tonë”

Aktori i njohur i humorit, Florjan Binaj pak kohë më parë realizoi një spot për promovimin e Shqipërisë të quajtur “Taken by Albania”.

Spoti merrte shkas nga imazhi i krijuar për shqiptarët pas filmit “Taken”, ku aktori kryesor , Liam Neeson kërkon vajzën e tij të rrëmbyer nga një bandë shqiptarësh.

Gjithashtu në spot, aktori ftohet për të vizituar Shqipërinë, për të zbuluar anët e bukura të saj. Ndërsa pak ditë më parë promovonte Shqipërinë, sot aktori ka shprehur indinjatën e tij për ndotjen mjedisore në vendin tonë.

Binaj ka publikuar një video në rrjetet sociale, pranë spitalit “Nënë Tereza”, ku shihet një autobuz i linjës së Unazës, i cili nxjerr tymra të tmerrshëm nga marmita.

Sipas aktorit, është e tmerrshme sesi qeveritë e lejojnë këtë vrasje të tillë të shëndetit tonë.

Ndër të tjera ai shton se si pasojë e ndotjes së ajrit, numri i të rinjve të prekur me kancer është rritur nga viti në vit.

Kujtojmë se aktori ka reaguar edhe më parë në lidhje me ndotjen mjedisore.

Aktori shkruan:

Është e tmerrshme që qeveritë, ministritë dhe të gjitha pushtetet lejojnë një vrasje të tillë të shëndetit tonë, duke rritur numrin e rasteve me kancer vit pas viti edhe tek moshat e reja. Personalisht kam miq që i vuajnë këto pasoja që sot, të tjerë nuk ia dolën dot, nesër mund ta kem radhën unë ose dikush tjetër nëse nuk ndalon kjo çmenduri që më shumë se kushdo prek shëndetin e brishtë të të gjithë fëmijëve. Nuk di ç’të them më, jam pa fjalë.

Loading...