Gjatë aktivitetit të zhvilluar sot “Modernizim i Urgjencës Mjekësore”, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi se mjetet e reja janë të një standardi të ri ndërsa garantoi se investimet për modernizmin e shëndetësisë do të vijojnë.
“Ne tashmë jemi angazhuar në qasjen tonë universale në shërbimin e Urgjencës dhe jo vetëm. Por ky shërbim ende mbetet një pikë kritike ndaj këtë vit ne investuam aty ku kishim problemin më emergjent, në flotën e automjeteve. Por a është mjaftueshëm? Sigurisht, e mira nuk ka fund aq më shumë në shëndetësi, ku teknologjia ndryshon çdo ditë, patjetër që pritshmëritë janë shumë të larta. Por, ajo çfarë mund të themi është që ky investim i ri me 32 mjete motorrike që nuk janë vetëm mjete motorrike, por janë 32 njësi shërbimi mjekësor të pajisura me të gjithë ato aparatura jetëshpëtuese që i duhet çdo mjeku apo infermieri në njësinë e tij mobile. Ndaj, çdo autoambulancë materialet e ndihmës së parë, janë sipas standardeve bashkëkohore”, tha ministrja.
Sipas Manastirliut, flota e shtuar e autoambulancave e shtrirë në qendrën e Koordinimit të Urgjencës në të gjithë qarqet e vendit, do të ndikojë jo vetëm në përmirësimin e cilësisë së shërbimit që do të ofrohet në territor, por mbi të gjitha do të garantojë një standard të ri në kohën e marrjes së shërbimit të Urgjencës.
Sipas saj, tanimë falë shpërndarjes së autoambulancave në disa pika kryesore në të gjithë vendin, çdo qytetar në zonat urbane e merr shërbimin brenda 16 minutave dhe 20 për zonat rurale.
“U nisëm duke mos pasur një standard në 2013, ku në Tiranë kishte vetëm 3 linja telefoni. Sot me linjën 127 apo 112, çdo qytetar mund të marrë shërbimin e Urgjencës ne kohe. Shtimi i flotës të 32 autoambulancave të reja që i shtohen sot flotës së pajisjeve tona në urgjencës kombëtare do të garantojë cilësinë e shtuar në shërbimin e Urgjencës”, -tha Manastirliu.
Më herët, ministrja kishte deklaruar se buxheti i 2018-ës do të mbështeste financimin e konsoliduar të Urgjencës mjekësore 24 orë në 7 ditë të javës, ku brenda këtij viti flotës së autoambulancave do i shtohej ky numër mjetesh të reja. Flota e re e autoambulancave do të ketë një shtrirje të Urgjencës Kombëtare në 8 qarqe. z.tosku
/ATSH/