Amerikanët iu drejtuan të martën qendrave të votimit, për herë të parë që prej fitores surprizë të Donald Trump-it në vitin 2016, duke zgjedhur një Kongres të ndarë. Demokratët fituan Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa republikanët forcuan kontrollin e tyre në Senat.
-Demokratët fitues të Dhomës së Përfaqësuesve
Demokratët fituan Dhomën e Përfaqësuesve. Ata i morën 26 vende republikanëve, përfshirë katër në Pensilvani, por gjithashtu në Florida, në Kolorado, Kansas, Nju Xhersi, në Nju Jork apo në Virxhinia.
Zgjedhet evidentuan një numër të konsiderueshëm të grave, të rinjve dhe kandidatëve nga pakicat etnike dhe seksuale. Demokratet Ilhan Omar (Minnesota) dhe Rashida Tlaib (Miçigan) janë gratë e para myslimane të zgjedhura në Kongres, dhe Sharice Davids (Kansas) e para amerikanoindiane. Alexandria Ocasio-Cortez (Nju Jork), një anëtare e krahut të majtë të Partisë Demokratike, e moshës 29 vjeç është më e vogla në moshë në Kongres.
Shefja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi premtoi një ekuilibër të ri të pushtetit në SHBA, ndërsa amerikanët dëshmuan sipas saj se kishin ”mjaft ndasi”.
Dhoma e Ulët përbëhet nga 435 vende dhe rinovohet tërësisht çdo dy vite.
Republikanët ruajnë kontrollin e Senatit
Në Senat, republikanët forcuan shumicën, duke u marrë sipas mediave amerikane katër vende demokratëve. Demokratët ishin në fakt të detyruar të mbronin dhjetë vende në shtetet pro-Trump.
Ata rezistuan në Virxhinian Perëndimore dhe në Nju Xhersi, por humbën shtetin kyç të Indianas, më pas Misurin dhe Dakotën e Veriun, bastione konservatore.
Republikanët regjistruan një vitore të vyer duke ruajtur vendin e Ted Cruz në Teksas. Në Florida ish-guvernatori Rick Scott fitoi ndaj demokratit Bill Nelson.
Senati amerikan numëron 100 vende. Zgjedhësit rinovojnë një të tretën e Dhomës së Lartë çdo gjashtë vjet, ose 35 vende këtë proces zgjedhor.ATSH