Më datën 19 dhjetor 2018, në Komandën e Forcës Detare, Plepa, Durrës, u festua 93-vjetori i Krijimit të Flotës sonë Luftarake Detare. Në këtë festë të detarëve tanë morën pjesë krahas kuadrove dhe detarëve të Forcës Detare dhe ish kuadro të Flotës Luftarake, veteranë të saj, që kanë shërbyer në vite, në anije dhe baza të rëndësishme të Flotës, përgjatë gjithë bregdetit shqiptar.
Mbas ekzekutimit të Hymnit Kombëtar, Komandanti i Forcës Detare, Gjeneralmajor Ylber Dogjani, duke përshëndetur pjesmarrësit e kësaj ceremonie theksoi se, Ju falenderoj për prezencën Tuaj në këtë ceremoni, duke u bërë pjesë e familjes sonë të madhe, të detarëve, që sot festojnë 93 vjet histori, krenari, angazhim dhe sakrifica në mbrojtje të atdheut tonë të dashur. Bashkë me festën e Forcës Detare, u kremtua dhe 100 vjetori i lindjes së K/Admiralit Abdi Mati, ndaj në vijim të fjalës së tij, Gjeneral Dogjani tha: është nder dhe krenari për mua të mirëpres, Ju familjarë të Admiral Abdi Matit, ishdrejtues në vite të Forcës Detare, miq dhe shokë, për të festuar ditën e krijimit dhe për të nderuar së bashku, Admiral Abdi Matin, këtë emër të lidhur pazgjidhshmërisht me Forcën Detare. Admiral Abdi Mati la pas një flotë detare të mirëorganizuar, të aftë për tju përgjigjur kërkesave të kohës, ndaj sot ne kemi një Forcë Detare që po modernizohet me pajisje dhe mjete moderne, kemi një trupë oficerësh të trajnuar dhe kualifikuar në vendet perëndimore, kemi anije të klasit “Iliria”, të cilat prej dy vjetësh janë pjesë e NATO-s, duke shpëtuar jetë në detin Egje, kemi oficerë që shërbejnë në Komandat dhe shtabet e NATO-s, duke na përfaqësuar denjësisht. Unë besoj se Admiral Abdi Mati, do ishte krenar me ne sot, nënvizoi Gjeneral Dogjani.
Më pas të pranishmit i përshëndeti dhe zoti Tasim Mece, ish drejtues i Flotës sonë Luftarake, i cili evidentoi rolin e K/Admiral Abdi Matit, në ringritjen dhe transformimin e Flotës Luftarake. K/Admiral Abdi Mati, ishte një ushtarak me cilësi të rralla dhe i përkushtuar për zbatimin e detyrave. Ai me paraqitjen e tij të impononte respekt, simbol i një kuadri dinjitoz, mësues dhe drejtues i talentuar. Ai mbetet trashëgëmia që vazhdon të frymëzojë edhe sot, kuadro e detarë të Forcës Detare, theksoi zoti Mece.
Në këtë datë të shënuar për Forcën Detare, pjesmarrësit i përshëndeti dhe zoti Zamir Mati, djali i K/Admiral Abdi Matit. Ai falenderoi Ministrinë e Mbrojtjes, Komandën e Forcës Detare dhe kuadrot detarë për vlerësimin e respektin që i kanë bërë figurës së babës së tij, si një nga ishdrejtuesit më të rëndësishëm të Flotës sonë Luftarake, me kontribut të vecantë në ringritjen dhe zhvillimin e Flotës sonë Luftarake.
Ndërkohë Ministri i Mbrojtjes Olta Xhacka, në përshëndetjen drejtuar detarëve theksoi se, mundi, sakrificat dhe vështirësitë e kaluara në qindra lundrime, stërvitje apo operacione në hapësirën tonë detare nuk harrohen kurrë nga populli ynë dhe do përcillen nga brezi në brez. Në çdo periudhë, epokë apo ngjarje historike, roli i detarëve shqiptarë në Adriatik e Jon, ka qenë prezent, për vetë pozicionin gjeografik të vendit tonë. Sigurisht, në këtë histori të ndritur, periudha mbas krijimit të shtetit shqiptar zë vend kryesor. Gjatë kësaj rruge shekullore, ku bashkohet kontributi i disa brezave, përfshihet dhe roli i pazvëndësueshëm i detarëve me uniformë, të cilët në vite, me sakrifica, vështirësi, guxim e heroizëm, duke u përballur me dallgët e detit, gjatë lundrimeve pa fund, ditë e natë, në mot të qetë e të trazuar, kanë shkruar historinë e tyre të lavdishme, si pjesë integrale e Historisë së Popullit Shqiptar.
“Flota jonë Luftarake Detare, në këto 93 vite ka pasur zhvillime të rëndësishme në varësi të strategjisë dhe politikave të sigurisë të ndjekura nga shteti ynë. Efektivat e Flotës sonë Luftarake Detare, në këto 93 vite janë dalluar për profesionalizmin, kulturën, vullnetin e përkushtimin në kryerjen e misionit fisnik për mbrojtjen e kufijve dhe zbatimin e ligjshmërisë detare, duke bashkëvepruar me strukturat e tjera të shtetit shqiptar. Detarët tanë shkruan me mund, djersë, gjak e sakrifica të panumurta, historinë e ndritur të Forcës Detare Shqiptare. Zonja Xhacka falenderoi detarët tanë për kontributin e tyre në operacionin “Sea Guardian”, ku kanë shpëtuar dhjetra jetë njerëzish. Gjithashtu detarët tanë kanë pasur dhe kanë një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe mbrojtjen e hapësirës sonë detare, si një burim i rëndësishëm për ekonominë e vendit tonë. Hapësira jonë detare ka marë rëndësi të vecantë gjatë kësaj periudhe dhe për shkak të zbatimit të projektit TAP, theksoi ajo.
Në fund të fjalës së saj Ministrja tha:- Ju uroj përzëmërsisht: Gëzuar 93 vjetorin, ditën e krijimit të Forcës Detare!
Në vijim pjesmarrësit vizituan një fotoekspozitë të përgatitur enkas për këtë ceremoni me tematikë:-Forca Detare në vite dhe jetën e K/admiral Abdi Matit. Ndërkohë zoti Zamir Mati, djali i madh i K/Admiral Abdi Matit prezantoi një album, me fotografi, Flota Shqiptare, 1945-1992. Takimi u mbyll me një fotografi të përbashkët.