Këto bova ndriçuese, pjesë e marrëveshjes midis dy vendeve për ripërcaktimin e vijës kufitare në Liqenin e Shkodrës, do të shërbejnë si pika orientimi ndërdetare në të dyja krahët e kufirit.
Realizimi i hedhjes së bovave të ujit u krye në bashkëpunim me Bazën Ajrore Farkë, të cilët vunë në dispozicion një helikopter, që realizoi uljen nga ajri të dy bovave.
Gjithashtu, në operacion u angazhuan palombarët e Qendrës së Zhytjes Pashaliman, të cilët realizuan lidhjen e bovave me spirancat prej betoni nën ujë.
Për realizimin e këtij operacioni morën pjesë gjithashtu edhe Instituti i Gjeografisë dhe Infrastrukturës Ushtarake, Policia Kufitare Shkodër dhe Prefektura e Qarkut Shkodër, si dhe përfaqësues nga Mali i Zi.
Pjesë e marrëveshjes ndërmjet dy vendeve është rivendosja e të 21 bovave kufitare në Liqenin e Shkodrës e ndërmjetësuar nga Ministria e Brendshme, e cila do të vijojë në faza të tjera të këtij projekti.