Mëngjesi i sotëm e ka gjetur sheshin “Skënderbej” të shndërruar në një arenë argëtimi. Një minifermë e improvizuar përpara bashkisë së Tiranës, me shpendë, kafshë të ndryshme, dhe lepurushë të vegjël, ka tërhequr vëmendjen e fëmijëve.
Po kaq interesant është edhe panairi i mjedisit, i cili jo vetëm i njeh fëmijët me elementët kryesorë të tij, por edhe i mëson ata me informacionin e duhur për ta mbrojtur ambientin që na rrethon.
Një tjetër aktivitet, është panairi i Policisë së Shtetit dhe i Ushtrisë, ku disa mjete ushtarake dhe të forcave të rendit të vendosura në bulevard kanë bërë kureshtarë jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit.
Në vazhdën e aktiviteteve që bashkia e Tiranës ka organizuar këtë 1 Qershor, janë edhe ato argëtuese, lojërat për fëmijë, garat me biçikleta, aktivitetet sportive, si dhe muzika e shfaqjet artistike.