“Fqinjët” e Teatrit të Gjirokastrës, shfaqja më e mirë e Festivalit “Kadri Roshi”

Tragjikomedia “Fqinjët” me regji të Milto Kutalit dhe me autor Ruzhdi Pulahën, e interpretuar nga trupa e Teatrit “Zihni Sako” të Gjirokastrës u shpall shfaqja më e mirë e Festivalit të Teatrit “Kadri Roshi”.

Mes duartrokitjeve të zjarrta të publikut gjirokastrit u mbyll Festivali Teatror “Kadri Roshi” që u zhvillua për 8-të netë në qytetin e gurtë, nga 22-28 tetor.

Interpretim i shkëlqyer i trupave pjesëmarrëse që erdhën në zhanre të ndryshëm. Juria prestigjioze e përbërë nga emra të njohur si Birçe Hasko, Mevlan Shanaj, Rajmonda Bulku, Petrit Ruka dhe Suela Konjari ndanë 12 çmime për trupat pjesëmarrëse, ndërsa trupa e teatrit të Preshevës u vlerësua me çmimin e festivalit.

Bashkia e Gjirokastrës bën të ditur se “dy çmime të tjera i shkuan aktorëve të teatrit “Zihni Sako”, Kudret Alikaj dhe Dajana Nenaj, por sigurisht çmimin kryesor e meritoi spektatori dhe artdashësi gjirokastrit, ndaj të cilëve kemi përherë mirënjohje dhe respekt maksimal”.

Në tragjikomedinë “Fqinjët” interpretojnë aktorët Kudret Alikaj, Liliana Kumbaro, Rrapo Kapurani, Dajana Nenaj, Alisa Gushi, Viktor Çaro, Mimoza Kola, Erdit Asllanaj, Serkida Rapollari, Erion Hinaj dhe Delvis Bejleri.

“Fqinjët”, me regji nga Milto Kutali, vjen në skenë si një vepër aktuale jo vetëm për kohën në të cilën jetojmë, por edhe për problematikën dhe idetë që transmetohen. Ngjarjet zhvillohen në një fshat të Greqisë së Veriut, në shtëpinë e një fermeri grek. Barba Kosta jeton me familjen e tij dhe kantinën e verës të cilën ku ka punësuar një familje të re shqiptare në biznesin e tij.

Dashuria e nipit Marko me Borën, motrën e Beharit (Lefterit), përbën ngjarjen shkakore që nxit zhvillimin dramaturgjik. Konflikti bazë është kombësia e dy të dashuruarve. Konflikti bëhet shumë i fortë dhe në të njëjtën kohë krijon edhe situatë me shumë humor, por dy të rinjtë kanë një aleat shumë të fortë, Barba Kostën dhe Jaja Aspasinë, e cila e do Bardhën si vajzën e saj. Me ardhjen e prindërve të Bardhës, Vasilit dhe Shegës, vepra merr një zhvillim të ri, por pa anashkaluar dashurinë e dy të rinjve, e cila vendoset në një situatë vërtetë të vështirë.

“Fqinjët” u vlerësua më 12 tetor me çmimin si shfaqja më e mirë në edicionin e 18-të të Festivalit e Teatrit Shqiptar në Dibër të Madhe.

Në edicionin e dytë të Festivalit të Teatrit “Kadri Roshi” në qytetin e Gjirokastrës morën pjesë tetë trupa teatrore jo vetëm nga vendi, por edhe teatri i Preshevës dhe ai i Tetovës./atsh

Loading...