FRANCË – Macron propozon një ushtri të vërtetë europiane

Europa nuk mund të vetëmbrohet pa një ushtri të vërtetë europiane, deklaroi Emmanuel Macron në një intervistë të transmetuar sot nga ”Europe 1”.

”Nuk do t’i mbrojmë dot europianët nëse nuk vendosim të kemi një ushtri të vërtetë europiane. Përballë Rusisë që është në kufijtë tanë dhe që ka dëshmuar se mund të jetë kërcënuese, duhet të kemi një Europë që vetëmbrohet më mirë e vetme, pa u varur vetëm nga SHBA-ja”, theksoi kreu i shtetit.

Macron citon, por pa përmendur emra, fuqitë autoritare që rishfaqen dhe riarmatosen në kufijtë e Europës.

Ai bëri thirrje për t’u mbrojtur përballë Kinës, Rusisë dhe ndoshta edhe vetë SHBA-së duke evidentuar vendimin amerikan për t’u tërhequr nga një traktat i çarmatimit bërthamor që daton nga vitet ’80.

”Cila është viktima kryesore? Europa dhe siguria e saj”, thotë Macron.

BE-ja po përpiqet të përshtatet me kontekstin e ri gjeopolitik që lidhet me vullnetin e presidentit Donald Trump për të ulur pjesëmarrjen e SHBA-së në mbrojtjen e Europës.

ATSH Nga VilmaXole

Loading...