Fredi Beleri i ka kërkuar nga burgu kryeministrit grek Mitsotakis që të ndërhyjë që ai të betohet si kryebashkiak i Himarës ‘për të ndaluar grabitjen e pronës greke’. Përmes një shënimi në Facebook ai bën me dije se i aka përcjellë këtë kërkesë kreut të qeverisë greke përmes deputetit Angelos Syrigos, i cili e takoi në burg një ditë më parë.
“I kërkova Angelos Syrigos që t’i përcjellë kryeministrit grek vendimin tim, i cili është gjithashtu një kërkesë e të gjithë banorëve të Himarës, për të marrë detyrën e kryetarit të bashkisë sa më shpejt të jetë e mundur për të ndaluar grabitjen e pronave greke” – shkruan Beleri në statusin e tij.
Evi Kokalari ka komentuar deklaratën e Belerit duke pyetur Rithemelimin e PD-së pse ka vënë si kandidat në zgjedhjet lokale të 14 majit një kandidat antishqiptar si Beleri.
Ajo thekson se respekti për minoritetet eshtë një gjë dhe anti-shqiptarizmi tjetër gjë dhe një mijë herë më i rrezishëm e duhet ndalur pa mëshirë. Në fund Kokalari shkruan se ky është një tjetër skandal që rëndon mbi Sali Berishën.
“Ore, mund të më shpjegojë njëri nga Rithemelimi pse vutë një kandidatë si ky anti-shqiptari Bejleri?
Lexojeni me kujdes mesazhin që i ka dërguar Mitsotakis – “duhet te jem menjëherë kryetar bashkie që të ndaloj plaçkitjen e tokës Greke” Po lëreni te vdes në burg, o njerëz. Nëse del dhe thua që Himara është toke Greke, ti duhet të humbësh automatikisht të drejtën për t’u futur në gara politike, dhe kjo duhet të jetë ligj në Shqipëri. (Ç: Edi Rama)
Respekti për minoritetet tona eshte një gjë, por anti-shqiptarizmi është 1000 herë më i rrezikshëm se budallalleku i disave dhe duhet ndaluar pa asnjë mëshirë. Ky është një skandal tjetër që rëndon mbi Berishën dhe kryesinë e rithemelit. Nuk ju falet asnjërit nga ju” – shkruan Kokalari.