Frika nga lufta dhe rritja e çmimeve, nxit blerjet e miellit në vend, ja çfarë po ndodh

Qytetarët në të gjithë vendin, sidomos në Tiranë keto dy ditë kanë shfaqur një kërkesë jo të zakontë për miell në pikat e pakicës.

Frika që kanë ngjallur sulmet ruse mbi Ukrainë po krijon panik te qytetarët.

Njësitë e shitjes me pakicë në kryeqytet pohuan se shitjet e miellit u dyfishuan.

“Ka raste ku një familje ka blerë njëherazi dy ose tre kuintalë. I gjithë furnizimi që më parë shitej për dy javë po shitet për dy ditë”, tha Samiu, i cili zotëron një njësi të shitjes me pakicë në zonën e “5 Majit”.

Ai tha se, blerjet e miellit nisën të rriten pas lajmeve se sasitë më të mëdha të grurit vijnë nga Rusia dhe Ukraina.

Të njëjtën tendencë pohojnë dhe pika të tjera të tregtimit me pakicë në kryeqytet.

Reagim të ngjashëm patën edhe konsumtorët në rrethe. Edhe në Kosovë, gjatë dy ditëve të fundit, u panë shumë qytetarë që ishin të interesuar për blerje jo të zakonta të miellit.

Nga Rusia vjen 46% e grurit

Shqipëria, gjatë vitit 2021, importoi nga Rusia dhe Ukraina 50% të sasisë vjetore të grurit që vjen nga jashtë.

Nga totali i importeve të drithërave, 46% vijnë nga Rusia, 35% nga Serbia, 4% nga Ukraina dhe pjesa tjetër 15% nga vende të tilla si Franca, Italia etj.

Importuesit pohuan se po bëjnë përpjekje për ndryshimin e burimeve të furnizimit, duke garantuar se nuk do të ketë mungesa në treg, por sipas tyre çmimet do të jenë në varësi të situatës.

Adi Haxhiymeri, i cili drejton Shoqatën e Përpunuesve të miellit, tha se, grosistët kanë rezerva deri në 45 ditë. Ai tha se gjatë dy ditëve të fundit janë gjetur blerës të rinj jashtë Rusisë, në Francë, Hungari dhe deri në Argjentinë.

Qeveria nga ana e saj nuk ka bërë të ditur rezervat me grurë të vendit, sakaq grosistët e grurit pohuan se shteti nuk ka asnjë rezervë.

Importuesit sugjeruan se qeveria duhet të kishte marrë masa për të krijuar rezerva me grurë që pas pandemisë.

Rusia e përdori eksportin e grurit për gjeopolitikë duke ndikuar në një rritje artificiale në tregjet ndërkombëtare më 2020.

Çmimi i një ton gruri në ditën e parë të luftës më 24 shkurt u rrit me 5.3%, por çmimi u ul sërish dje, pasi sanksione më pak të ashpra u vunë ndaj Rusisë nga shtetet perëndimore./B.Hoxha

Marrë nga: Monitor

Loading...