Drejtues të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit morën pjesë në 10 vjetorin e Qendrës Xhonatan, një organizatë jo fitimprurëse që punon në Shqipëri për komunitetin e personave me Sindromën Down.
Delegacioni i kryesuar nga Zv.Presidenti i Federatës, Edvin Libohova, Drejtori Administrativ Kejdi Tomorri si edhe legjenda e futbollit shqiptar Sulejman Demollari, dhuruan topa futbolli për të rinjtë e kësaj qendre si edhe i dorëzuan themelueses së kësaj qendre, Oreada Kita një bluzë të Kombëtares shqiptare me firmat e të gjithë lojtarëve.
Një surprizë e këndshme ishte përgatitur nga fëmijët e kësaj qendre, të cilit i dhuruan Libohovës logon e Federatës të punuar nga fëmijët dhe vullnetarët e qendrës.
Bashkëpunimi i FSHF-së me qendrën Xhonatan lindi në prag të ndeshjes Shqipëri-Skoci, ku fëmijët e qendrës ndoqën nga afër ndeshjen e ekipit Kombëtar dhe u takuan me të gjithë lojtarët. Ky bashkëpunim do të vazhdojë me synimin për të ndërgjegjësuar, informuar si edhe promovuar të drejtat e nevojat e individëve me këtë sindromë që të jetojnë një jetë të shëndetshme, të pavarur dhe pranë sportit.
Themeluesja e Qendrës “Xhonatan”, në të njëjtën kohë edhe Drejtoresha Ekzekutive, Oreada Kita falënderoi FSHF-në për këtë mbështetje të fortë në betejën për ndërgjegjësimin e opinionit publik për Sindromën Down.
“Jemi shumë të kënaqur që në këtë 10 vjetor ne kemi filluar një bashkëpunim në disiplinën e sportit me FSHF, një disiplinë shumë e rëndësishme për zhvillimin e fëmijëve dhe të rinjve me Sindromën Down. Fëmijët e qendrës kanë përjetuar emocione të jashtëzakonshme në ndeshjen që kanë ndjekur në stadium. Ne morëm garanci se ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të gjatë”, theksoi Kita.
Nga ana e tij edhe Zv.Presidenti i Federatës Shqiptare të futbollit, Edvin Libohova, duke përshëndetur dhe vlerësuar maksimalisht drejtuesit e qendrës për punën e përkushtuar me këta fëmijë dhe të rinj, u shpreh se sporti ka gjithmonë një rol parësor për t’i dhënë zë dhe mbështetje personave në nevojë, dhe se FSHF do të jetë gjithmonë pranë Qendrës Xhonatan për t’i mbështetur me nisma të tjera.
“Jemi sot në Qendrën Xhonatan, me të cilën Federata ka nisur një bashkëpunim nga ndeshja me Skocinë, ku disa fëmijë ishin prezent në ndeshje. Ndërkohë sot ne kemi ardhur për ti dhuruar një sasi topash dhe një bluze simbol me firmat e të gjithë lojtarëve. Sigurisht që kjo nuk është veprimtaria e parë që ne bëjmë, do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Këto nisma janë pjesë e veprimtarive sociale që FSHF zhvillon me të tilla qendra në të gjithë Shqipërinë”, tha Libohova.
Në fund përfaqësuesit e FSHF ndoqën nga afër shfaqjen “Njëlloj si ti”, e përgatitur nga Teatri Metropol për këtë aktivitet.ATSH