Rreth 20 kilometra larg qytetit të Elbasanit ndodhet një nga perlat turistike thuajse të pashkelura të qytetit të Elbasanit. Mund të cilësohet si perla e pazbuluar mes Elbasanit dhe Tiranës. Bëhet fjalë për fshatin Funar. I ndodhur pak kilometra larg Elbasanit dhe Tiranës, Funari zotëron një bukuri të rrallë.
Funari është fshati që ndrin buzë liqenesh i rrethuar me pyje dhe gjelbërim. Ajo që e bën akoma më tërheqës është ngjyra e gjelbër e ujit të liqeneve, e cila krijon një vezullim prej smeraldi.
Është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene, apo rezervuarë të ndarë në dy brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas maleve që e rrethojnë atë.
E pasur me pyje pishash dhe dushku, Funari ofron një klimë të shëndetshme që, nëse i shtojmë dhe gatimet tradicionale të zonës, bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavën. Por jo vetëm kaq, kjo zonë mund të jetë një destinacion edhe për të pasionuarit pas peshkimit.