Furnizoi makinën me karburant me euro false, arrestohet nga policia e Fierit 25-vjeçari nga Tepelena

Policia e Fierit ka vënë në pranga një të ri pasi përdorte kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara.

Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të monedhave, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier, bënë ndalimin e shtetasit E. N., 25 vjeç, banues në Mamaj, Tepelenë.

Ndalim i këtij shtetasi u bë pasi në datë 25.01.2021, ka furnizuar me karburant automjetin tip “Opel” në një pikë karburanti në lagjen “1 Maji”, Fier, dhe pagesën e ka bërë me një kartëmonedhë 50 euro e dyshuar e falsifikuar.
Gjithashtu, në datë 26.01.2021, ky shtetas ka blerë produkte në një dyqan në Mallakastër me kartëmonedhë 50 euro të dyshuar të falsifikuar.

U sekuestrua në cilësinë e provës materiale automjeti tip “Opel” dhe dy kartëmonedha 50 euro të dyshuara të falsifikuara.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”.

Loading...