Gati ligji i ri për tokën bujqësore, do të taksohet më shtrenjtë

Fatura që paguajmë çdo muaj për taksën e pronës, nuk do të llogaritet më mbi “çmimet referencë”, por në bazë të vlerës së asaj banese apo toke. Një nismë ligjore e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, ende në fazë konsultimi me publikun dhe grupet e interesit, synon që të taksojë më shtrenjtë një pjesë të pasurive të paluajtshme. Kjo do të thotë sa më e lartë vlera në treg, diktuar edhe nga afërsia me qendrën e qytetit, aq më shumë do paguhet për këtë taksë.

“Propozojmë të kalojmë nga një taksim në bazë të çmimeve të referencës në një taksim që merr parasysh çmimet e tregut. kjo në fakt është një praktikë ndërkombëtare”, tha Delina Ibrahimaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë.

Ndryshime në këtë taksë pritet të ketë edhe për tokat bujqësore. Një nismë e lajmëruar më herët nga kryeministri, për të ulur sipërfaqen e tokave të lëna djerrë e të papunuara prej vitesh.
“Për sa i përket taksës që supozohet që të jetë taksë për sektorin bujqësor, për tokat bujqësore apo pyjore, ka disa incentiva lidhen me vitet e para të prodhimit, në mënyrë që ne të bëjmë të mundur që të nxisim mbjelljen, të nxisim prodhimin, të nxisim shfrytëzimin e pronës”, tha Ibrahimaj.

Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku propozoi edhe një tjetër instrument për të rritur eficencën e përdorimit të tokës.
“Ka ardhur koha për “bankën e tokës”. Pra, banka e tokës është një instrument i ngjashëm me bankën e parave ku fermerët, pronarët japin të drejtën e përdorimit dhe ruajnë të drejtën e pronësisë”, u shpreh Fatbardh Sallaku, Rektor i Universitetet Bujqësor të Tiranës. Ndryshimet ligjore të propozuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë pritet të vijnë në formën e një projektligji deri në fund të vitit, për të hyrë në fuqi në 2026-n.

Loading...