Gazetari Basir Çollaku: “Akuzat që rëndojnë mbi Saimir Tahirin nuk janë më të lehta se ato që rëndojnë mbi Klement Balilin”

Gazetari Basir Çollaku ka folur lidhur me disa nga dosjet më të përfolura të ditëve të fundit, që lidhen me Saimir Tahirin dhe me shitblerjen e votave.

I pyetur nëse prokuroria ka prova shtesë për Tahirin, Çollaku tha se ajo që është bërë publike derimë tani në media nuk është as gjysma e provave.

Gazetari u shpreh më tej se kryeministri Rama është i gatshëm që të lëshojë këdo nga bashkëpunëtorët e tij, por i druhet vetëm faktit se ata mund të nxjerrin të dhëna për të.

“Akuzat që rëndojnë mbi Saimir Tahirin nuk janë më të lehta se ato që rëndojnë mbi Klement Balilin, ky është rasti i vetëm ku një person i akuzuar për grup të strukturuar criminal e sheh seancën nga shtëpia.

Dhe këtu nis ndikimi politik mbi çështjen. Mund të ketë dokumente nga ana e prokurorisë që nuk i bëhen me dije as avokatit mbrojtës, për shkak se janë shumë sensitive, ndryshe nga çfarë thotë avokati i Saimir Tahirit.

Ajo çfarë ka dalë deri tani ne media është një përqindje e konsiderueshme, po nuk është as gjysma.

Akuza është ngritur për një vepër që është konsumuar në Shqipëri, nuk hetohet zoti Tahiri për trafik droge në Itali, por akuza thotë që ka mbështetur grupin kriminal duke i mundësuar infrastrukturën. Edhe mohimi që Tahiri ka bërë për njohjen e afërt me kushërinjtë e tij nuk qëndron se ka dokumente që flasin për udhëtimet e tyre së bashku jashtë vendit.

Pafajësia e Tahirit mund të jetë vetëm një urdhër i Ramës për të shpëtuar veten e tij. Urojmë që në rastin e të kërkuarit Jaeld Çela të mos shkojë sërish drejtori i policisë Ardi Veliu, që ka nisur të punojë si taksist për trafikantët. Gjithë këto oficerë policie nuk e kanë bërë në kokën e tyre bashkëpunimin me këtë grup kriminal.

Edi Rama është i gatshëm që të lëshojë këdo, vetëm nëse merr garancinë që vetë nuk do të preken dhe ministrant që largohen të mos flasin. Bandat urdhërojnë, bandat vendosin. Dosja 184 është dosja për vjedhjen e zgjedhjeve në Dibër, ku implikohet emri i Damian Gjiknurit, dhe ministra të tjerë. Është një histori implikimi mes politikës dhe krimit”, u shpreh Çollaku në Fax News.

Loading...