Gazetari kujton 6 vite pas vdekjes ‘nënë Lizën’

Nga Genc Demiraj

Nëna Liza…!

Në fakt ne të gjithë i thoshim “nëna Liza”, jo vetë ne të rinjtë që për nga mosha e justifikonim këtë komunikim por edhe të tjerët, kolegët aktorë e bashkëmoshatarë të saj…!

“Nëna Liza” i flisnim kudo në teatër, në korridoret e tij, në studio, në prova, në rrugë, në qytet, dhe ajo me atë mirësinë dhe temperamentin e saj që na përgjigjej: – ju bëftë nëna…!

E mira nëna Liza e kish fituar këtë status, prej kohësh, jo nga mosha por nga mirësia, ngrohtësia dhe kujdesi i treguar ndaj kujtdo. Nuk kish rast që ajo mos të të gjendej pranë për çdo hall e shqetësim që mund të kishe, për çdo gëzim e lumturi që përjetoje…!

Hë tu bëftë nëna, tu bëftë…!

Liza Laska, nuk ishte artistikisht e profesionalisht vetëm “nëna Labe” por realisht në mënyrën më domethënëse ishte edhe Nëna e madhe e qytetarisë vlonjate e shqiptare…statuse që ajo i morri nga gërshetimi mjeshtëror e shpirtëror i roleve të skenës me rolin e madh të jetës së saj, familjes së saj, mirësisë së saj, dashurisë së saj ndaj të njohurve e të panjuhurve, ndaj gjithë bashkëkohësve të saj !

Nuk e di se ç’magji kish ajo , sa që kur takoheshe me të, të ikte ndroja, çliroheshe shpengoheshe aq sa harroje që ishe mik apo kishe përballë një artiste të madhe apo një emër të madh ! Të fuste në botën e mirësisë së saj duke u njehsuar e barazuar… e pastaj me ato shakatë, humorin e të treguarin e saj virtuoz të magjepëste e relaksonte…

I shkuam një paradite , pak kohë përpara se të ndahej nga kjo jetë, së bashku me Afrim Agalliun në shtëpinë e re që kishin marrë. I shkuam edhe për ta parë, për mall, por edhe ti merrnim një intervistë për Gaq Vishin…

E gjetëm vetëm.

O ju marrsha të ligat, ju marrsha…O kush më ka ardhur !

U kënaq !

Nuk rreshte pa na treguar e lumturuar gjithë shtëpinë, dhomat, verandën, pa falenderuar me shpirt, nusen e djalin që ja kishin mundësuar këtë rehati…

E pastaj me atë vrullin e saj karakteristik na ftoi të rehatoheshim edhe ne, ashtu “vëndçe” e po vëndçe tja nisnim atij kuvendimi që ajo e menaxhonte mrekullisht…!

…Për të vazhduar, mandej, me humor, të qeshura dhe kujtime pa fund për Gaqin e gjithë historitë që Afrimi me lezet po ja ç’bironte…!

Sot nëna Liza, ka gjashtë vjet që nuk është më mes nesh !

Ka shkuar për rolin e madh të përjetësisë duke na lënë këtu super rolin me emrin e madh të “Nëna Lizës”…

Loading...