Situata rreth Armando Brojës ka sërish dritëhije. 22-vjeçari u largua nga grumbullimi i kuqezinjve vetëm 2 ditë pasi kishte nisur, për shkak se sulmuesi pati shqetësime fizike dhe nuk ishte i gatshëm.
Misterin e kësaj çështjeje e ka zbuluar eksperti i futbollit Bashkim Tufa në studion e emisionit “ORA Sport” të gazetarit Altin Sulçe.
Tufa tregoi arsyet se pse Broja iku në Londër, por edhe një bisedë kokë më kokë të zhvilluar mes tij dhe teknikut Sylvinho.
“Broja erdhi, bëri vetëm një ditë stërvitje, të nesërmen është ankuar për një dhimbje në gju ku ka qenë i dëmtuar. Ka bërë rezonancën magnetike dhe ka dalë mirë, pra nuk ka pasur problem mjekësor. Megjithatë Broja ka këmbëngulur që i dhemb gjuri.
Në këto kushte, stafi mjekësor i Kombëtares është lidhur me stafin mjekësor të Çelësit dhe anglezët kanë thënë që ai të kthehet. Brojës i është dhënë një biletë për ta parë ndeshjen në stadium, por ai preferoi të largohej drejt Londrës.
Mbasi ka dalë përgjigja e rezonancës ku doli që nuk kishte probleme ai ka pasur një bisedë “tetë a tetë” me Sylvinhon dhe se çfarë është thënë nuk është marrë vesh, pasi është shumë private, por ka vijuar pas kësaj që Broja të largohej.
Por them që në këtë situatë që po përjeton Kombëtarja mendoj të mos krijojmë probleme që nuk janë”, tha Tufa.