Gazetarja Klodiana Lala ka folur sërish për dosjen e bujshme të të zhdukurit Ervis Martinaj, për të cilin nuk ka asnjë lajm që prej datës 9 gusht. Lala tha se e ka një ide se ç’mund të ketë ndodhur me Martinajn, por që nuk preferon të flasë, pasi sipas saj nuk i takon që ta japë ajo fjalën e fundit për të, sepse nuk është ligji.
Gazetarja u shpreh se kjo çështje e ka ndjekur kudo dhe se madje e pyesin kudo që shkon, në parukeri apo denst, në lidhje me fatin e Martinajt. Ajo tha më tej se asnjëherë nuk e shpërdoruar profesionin e saj për të lënduar familjarët e të zhdukurit dhe pse me xhaxhanë e tij, tha se ka pasur një bisedë të ashpër.
“Ervis Martinaj është një personazh që tërheq shumë, konsiderohej mbreti i lojërave të fatit. Nuk kam abuzuar në asnjë germë, jam treguar e vërtetë me provat dhe faktet. Kam siguruar dhe videot. Nuk ia kam lejuar vetes sepse ka një familje që mund të jetë jashtë aktivitetit të tij.
Kam biseduar me xhaxhain e tij, ka qenë një bisedë e ashpër. Unë isha e kujdesshme pasi profesionin tim nuk e kam për të lënduar familjarët. Në raportimet e mia kam qenë shumë e kujdesshme. Atë dosje e ruaj. Patjetër edhe në gjyq po të shkoj jam e hapur. Jam munduar që t’i jap publikut prova. Kam preferuar të jem besnike e fakteve dhe provave.
Është një ngjarje që do të vijojë gjatë. Do jetë nëse nuk do të ketë një përfundim nga institucionet. Martinaj ishte një personazh që ndërthurte biznesin, politikën, shoëbizz-in. Kudo shkoj më pyesnin për Martinajn. Shkoj për të bërë flokët më pyesin për Martinaj, shkoj te dentisti më pyesin për Martinajn, kudo. Kam një ide që çfarë mund të ketë ndodhur me të, por nuk ia lejoj vetes të them unë fjalën e fundit se nuk jam unë ligji,”- tha Klodiana Lala ne ABC.
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles.
Por, në 9 gusht, u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim. Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova.
Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version, pasi edhe Rama u tërhoq. Ai tha se përderisa nuk ka prova, Policia e Shtetit nuk do të shprehet zyrtarisht për këtë dosje./Shqiperiaime