Gazetarja e Rai-t dokumentar në Lazarat – Ja cfarë gjen…

Televizioni italian Rai ka realizuar një dokumentar në fshatin e Lazaratit, për të parë nëse vijohet kultivimi i kanabisit pas aksionit që ndërmori policia në vitin 2014 për zhdukjen e tij.

Në rrugëtimin e saj gazetarja e Rai, Laura Tangherlini ka treguar se tashmë në këtë fshat kanë mbetur vetëm muret e larta pas të cilave qëndronin gjethet e hashashit.

Ajo është ndalur edhe në disa dëshmi të banorëve, të cilët janë shprehur se me kultivimin e hashashit nuk merrnin ndonjë fitim të madh.

Gjithashtu shumë prej tyre janë shprehur se nuk kanë kultivuar hashash dhe se shumë nga arrestimet nga policia ishin të padrejta.

“Ne vërtetë jetonim më mirë, por bënë mirë që e hoqën hashashin. Megjithatë mënyra se si policia ndërhyri ishte shumë brutale. Ishte e vërtetë që kishte fitim por shkonte tek politikanët dhe tek të tjerët. Ne na mbeteshin vetëm thërrime”,-është shprehur një tjetër banor për Rai-n.

Gazetarja ka vijuar rrugëtimin e saj në fshat ku ka gjetur disa tunele, të cilat përdoreshin si magazina për drogën, por tashmë kanë mbetur bosh.

Më pas udhëtimi i Laura Tangherlini ka vijuar në Tepelenë, ku banorët vendas u shprehën se nuk kultivohet më drogë, por gjithsesi ata nuk janë spiunë.

Ndonëse të gjitha dëshmitë ishin se hashashi nuk kultivohej më, sërish gazetarja italiane ka arritur të gjejë një person që i siguron një qese me kanabis.

Ndër të tjera ai shprehet se drogën e ka patur në shtëpi që prej një viti pasi nuk ka patur treg për t’a shitur. /Opinion

Loading...