Gazmend Bardhi: “Beteja jonë vazhdon derisa ëndrra për Shqipërinë si gjithë Europa të jetë realitet për çdo shqiptar”

“Rasti i Shkodrës i dha të drejtë opozitës: Pa largimin e Rames nuk ka mirëqenie”. 

Kështu shprehet Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, duke iu referuar skandalit të Valdrin Pjetrit, i cili në formularin e dekriminalizimit kishte fshehur dënimin në Itali për trafik droge.

Pjetri ishte kandidat i vetëm i PS në 30 qershor për Bashkinë e Shkodrës, por pas denoncimit të skandalit nga opozita u detyrua të japë dorëheqje nga marrja e detyrës. Një ditë pas këtij zhvillimi të rëndësishëm, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Bardhi shprehet se Edi Rama duhet të largohet dhe se faktet e dala në dritë i kanë dhënë të drejtë opozitës për pretendimet e saj. Ai thotë se aksioni i opozitës nuk do të ndalet deri në arritjen e këtij objektivi.

Deklarata e Bardhit
Përballë presionit të opinionit publik dhe partnerëve ndërkombëtarë, pasi konfrimoi edhe njëherë, në mënyrë të përsëritur, se pushteti i tij mbijeton vetëm për shkak të lidhjeve me krimin, Edi Rama udhëroi drejtuesin e tij politik në Shkodër të tërhiqej.

Dorëzimi i Edi Ramës në Shkodër është një provë tjetër se Partia Demokratike është sot i vetmi institucion që po i bën qendresë kapjes totale të shtetit dhe ekonomisë nga krimi.

Çdo shqiptar e di se, njësoj si Arben Ndoka, Elvis Roshi, Mark Frroku, Armando Prenga e shumë të tjerë, edhe përfaqësuesi i Edi Ramës në Shkodër, përdori paratë e trafikut të drogës për të hyrë në politikë nëpërmjet Edi Ramës.

Largimi i Valdrin Pjetrit, i dënuar për trafik droge në Itali, nuk është një reflektim, as personal dhe as politik i tij apo i Edi Ramës. Nuk është as pendim dhe as kujtesë për krimin e kryer në të shkuarën.

Largimi i tij vjen me të njëjtën formë mashtrimi si ajo e kriminelëve të tjerë që ranë në rrjetën e dekriminalizimit, Elvis Roshi, Arben Ndoka, etj. Largimi i tyre është meritë vetëm e Ligjit të Dekriminalizimit dhe betejës së Partisë Demokratike për të shkëputur lidhjet e politikës me krimin e organizuar. Është meritë e qendresës së palëkundur të Partisë Demokratike, opozitës dhe opinionit publik, që disa kriminelë janë sot jashtë politikës.

Por, fatkeqësisht, fenomeni i kriminalizimit të shtetit vazhdon të qëndrojë, sa kohë arkitekti i lidhjes krim-politikë është Kryeministër. Asgjë nuk do të ndryshojë, as për Shkodrën dhe as për Shqipërinë, deri kur koka e krimit në politikë dhe ekonomi të jetë prerë, duke larguar Edi Ramën nga drejtimi i qeverisjes së vendit.

Rasti i Shkodrës provoi edhe njëherë se kauza e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme, pa përfshirjen e krimit të organizuar dhe parave të pista të krimit e korrupsionit, është e duhura dhe rruga e vetme për një qeverisje të mirë në sherbim të qytetarëve dhe jo bandave.

Pa shkëputjen totale të lidhjes së politikës me krimin dhe pa garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, për shqiptarët nuk do të ketë mirëqenie, ndërsa vendi do të mbetet i izoluar, jashtë Bashkimit Europian. Beteja jonë vazhdon derisa ëndrra për Shqipërinë si gjithë Europa të jetë realitet për çdo shqiptar

Loading...