Gent Cakaj: “Shqipëria mbetet shpresëplotë për një vendim pozitiv së largu në tetor”

Ministrat e vendeve anëtare të BE-së shtynë vendimin rreth çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut deri në tetor.

Duke parë këto rezultate, një koment ka pasur nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ku në një deklaratë për mediat tha se gjatë këtyre muajve Shqipëria do të ketë rezultate pozitive, ndërsa sfida e saj është për të përçuar mesazhet politike. Cakaj tha më tej se zgjedhjet e 30 qershorit, janë sprovë në shërbim të agjendës evropiane.

Ministri i Jashtëm në detyrë u shpreh se ishte mungesa e kohës për vendimmarrje, dhe jo mospërmbushja e kritereve nga Shqipëria, shkaku për shtyrjen e vendimit të negociatave.

Cakaj ndryshe nga kryeministri Rama deklaroi se shtyrja e vendimmarrjes nuk është një lajm inkurajues për Shqipërinë, pasi në gjykimin e tij, vendi e kishte merituar hapjen e negociatave që vitin e kaluar.

“Shqipëria nuk mund të përcaktojë agjendën e vendimmarrjes së Këshillit. Sidoqoftë, Shqipëria mund të përmbushë kushtet teknike të paraqitura nga Këshilli. Prandaj duke u mbështetur në zotimin e prerë të Këshillit dhënë sot për një vendim të qartë dhe substancial, dhe jo për të diskutuar edhe një herë në tetor, nëse negociatat duhet të hapen ose jo, por në fakt për të marrë një vendim të prerë, dhe për ti dhënë kahje procesit të avancimit të mëtejshëm në agjendën evropiane.

Shqipëria mbetet shpresëplotë për një vendim pozitiv së largu në tetor. Shpresa jonë nuk do të thotë pritje pasive, por duhet të marrë trajtën e një angazhimi aktiv, për ti paraprirë pozitivisht vendimit të tetorit. Shtyrja e vendimmarrjes nuk është një lajm inkurajues për Shqipërinë. Nuk mund të jetë inkurajues, sepse Shqipëria ka merituar hapjen e negociatave që vitin e kaluar”.

Loading...