GENTIAN MEMO QEJVANI NGA KALLARATI SË SHPEJTI NISË AVENTURËN E TIJ MË TË GJATË TË JETËS, ATË TË ECJES ME BIÇIKLETË KINË – SHQIPËRI.
Megjithëse është diplomuar për Shkenca Politike në Itali, ka punuar në Parlamentin Europian, ka kryer Doktoraturë në Kinë për Çështjet Publike me një studim krahasues midis Shqipërisë dhe Kinës, pasioni i tij mbetet “aventura” nëpërmjet çiklizmit, ecjeve të gjata në terrene të vështira, si dhe ndihma ndaj njerëzve në nevojë. Kudo synon të jetë i pari e të ngrejë flamurin kombëtar shqiptar.
Kemi kohë që nëpërmjet disa vidiove e shohim Gentianin në Kinë si pjesëmarrës dhe fitues në shumë gara me biçikletë ku valëvit flamurin tonë kombëtar, në ngjitje malore sportive e plot aktivitete të tjera. Pasioni i tij është të ecë me biçikletë, të vrapojë në distanca të gjata, duke dhënë mesazhin e vëllazërimit midis njerëzve dhe popujve dhe ndihmën ndaj njerëzve në nevojë, sidomos fëmijëve edhe në këtë kohë të pandemise ndaj COVID-19.
Gentiani ka shkuar vullnetarisht në Mandagastar, të Afrikës për të ndihmuar fëmijët më të varfër, duke u mundur të përcjellë një mesazh paqeje në Afrikë dhe Kinë gjatë kohës së vështirë të coronaviruesit.
Para një viti Gentiani së bashku me 5 kinezë ishte në Berat, Vlorë e Sarandë, pa anashkaluar edhe Kallaratin vendlindjen e babait të tij Memo Qejvanit, njeriut të urtë e punëtor, për të promovuar turizmin dhe bukuritë natyrore të Shqipërisë.
Gentiani shquhet për aventurat e tij, por me një domethënie e mesazh të qartë të miqësojë njerëzit e popujt midis tyre, të promovojë vlerat dhe të ndihmojë njerëzit e varfër, veçanërisht fëmijët.
Aventura e re e Gentianit do të jetë maratona me biçikletë KINË – SHQPËRI, për të cilën kërkon mbështetjen e të gjithve.
Kryesia e Shoqatës Kallarati vlerëson dhe mbështet punën e tij dhe gjithçka që bën nëpërmjet sportit duke njohur Shqipërinë në Kinën e largët dhe në vende të tjera e duke valëvitur flamurin kombëtar kuq e zi, për të cilën na bën krenar edhe ne si kallaratas.
I urojmë suksese dhe e mbështesim në aventurën e re të tij vitin e ardhshëm me biçikletë Kinë – Shqipëri, pse jo ta përfundojë atë në Vlorë, pse jo edhe në Kallarat.
Për diçka më shumë për jetën dhe aktivitetin e Gentianit, lexoni një përmbledhje më poshtë, të cilën na e dërgoi me kënaqësi, pas kërkesës tonë për fb e Shoqatës Kallarati.
——————————————————————
Gentian Qejvani ka lindur në Vlorë në 31.08.1987 nga prindërit e tij Memo Qejvani nga Kallarati dhe Zamira Isufi. Memua babai i Gentianit rrjedh nga një familje e thjeshtë dhe bujare kallaratase. Memo Tahir Qejvanaj iku në një moshë të re u nda nga jeta dhe la pas dy fëmij në moshë të mitur, Fatjon dhe Gentian Qejvani. Në kohën e ndryshimit të sistemit mamaja e Gentianit i mori dy fëmijët e mitur dhe emigroi në Itali. Me sakrifica dhe perkushtim ajo i rriti edukoi dhe shkolloi dy djemtë e saj që u diplomuan në shkollat e larta Italiane.
Gentiani u diplomua në Itali për Shkenca
Politike, ka kryer Masterin në Bruksel. Gjithashtu ka punuar një vit në Parlamentin Europian. Mbasi mbaroi masterin ai shkoi në Kinë ku vazhdoi të studionte dhe të diplomohej me PhD (Doktoraturë) në çështjet publike me një studim krahasues midis Shqipërisë dhe Kinës.
Gentit nuk i mjaftoi karriera akademike, por vazhdoi të merret me aktivitete sociale dhe sportive që zhvillohen në Kinë, ku doli fitimtar dhe mori çmimin e parë në disa maratona kineze, si edhe lartësoi flamurin shqipëtar në çiklizëm. Ai vazhdon të promovojë Shqipërinë dhe kulturën shqiptare në Kinë, duke u përpjekur të jetë një urë lidhëse midis dy vendeve, për më tepër vitin e ardhshëm ai planifikon të ngasë biçikletën nga Kina në Shqipëri në mënyrë që të promovojë lidhjen midis dy vendeve.
Për më shumë informacion, mund ta ndiqni në Youtube ku Gentiani ka kanalin e tij të quajtur “G productions”.
https://m.facebook.com/gentian.qej