Ky 15 mars shënoi 13-vjetorin e shpërthimit të Gërdecit, ku mbetën të lënduar qindra persona dhe të vdekur dhjetëra të tjerë.
Përmes një letre, Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Gërdecit, kujtojnë këtë ditë të trishtë për të.
Mes rreshtash, ata rendisin dështimin e politikës dhe organeve gjyqësore për të bërë drejtësi, si dhe sipas tyre, pengimin që qeveria i bën në çështjet e hapura në gjykatat ndërkombëtare.
Njoftimi i plotë:
Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit gjen rastin sot, në vitin e 13-të përkujtimor të tragjedisë së Gërdecit, të falenderojë dashamirësit që nga afër ose nga larg na japin kurajo për të vazhduar jetën dhe për të çuar luftën tonë për të drejtën deri në fund. Tashmë 15 marsi është bërë një ditë symbol për të vlerësuar drejtësinë, politikën dhe njerëzillëkun.
Drejtësia u sprovua dhe dështoi. Pavarësisht se disa persona u dënuan, ata tashmë i lanë duart nga drejtësia dhe shumë të tjerë nuk u hetuan. Dëgjuam lloj-lloj emrash kafshësh që u përfolën, që lanë gjurmë mbi letra e fakse, por nuk pati askush kurajon të hetonte e ta zbardhte ngjarjen. Drejtësia e la të pagjykuar edhe ish ministrin që sot kandidon për deputet. Pra, drejtësia nuk kapi as baxhanakët e djeshëm dhe as kunetërit e sotëm. Madje drejtësia ngatërroi edhe emrin e personit që i vuri zjarrin barutit. Drejtësia i la të lirë t’i ktheheshin biznesit apo politikës, që të ndërtojnë pallate për të qerasur politikën dhe kjo e fundit të qeverisë rehat pallatet. Jetët e humbura në 15 mars 2008 nuk kthehen më, por drejtësia mund të vendosej, me hir ose pahir. Me refome drejtësie apo jo.
E megjithatë, “ortakëria politike” nuk deshi të bëhej drejtësi.
Dhe këtu vijme të e dyta. Politika. Ajo u vu në sprovë dhe dështoi. Nuk u nxor asnjë leksion nga kjo tragjedi. Ligjet nuk u rishikuan për të mos lënë më të ndodhin ngjarje të tilla. Ligjet nuk u rishikuan për të bërë të mundur që hetimet të bëhen ashtu sic duhet. Madje, edhe reforëma në drejtësi i vuri “tapën” çështjeve të vjetra, të kohës para reformës, që të mbyllte hesapet e vjetra me qëllim që t’i hapte rrugë pazareve të reja.
Njerëzillëku u vu gjithashtu në sprovë, por për fat të keq dështoi edhe ky. Dikur politikatë të të gjitha gjatësive e gjinive, zinin rradhën për të bërë paradën e mbështetësve tanë, ndërsa sot kanë harruar cfarë ndodhi në Gërdec. Por, pa harruar që ata që gatuan vdekjen në Gërdec, me mbështetjen e politikës së vjetër, sot gatuajnë beton në Tiranë të bekuar nga politika e sotme e re.
Sot, ne denoncojmë shëmtinë e ploitikes , që bëjnë sikur ishin dhe janë me ne kur në të vërtetë kanë bërë të gjitha përpjekjet për të na penguar në gjykatat vendase apo edhe në Strasburg, që ne të humbim të fundit amanet të atyre që nuk jetojnë më dhe të fitojnë ata që sot riciklohen në politikë si gjoja “kundërshtarët” e tyre.
Sot, ne familjarët e viktimave të shpërthimit të Gërdecit, i themi vrasësve që pavarësisht se mund të mendojnë që i kanë mbyllur hesapet me drejtësinë apo me ndonjë ambasadatë, ata nuk i kanë mbyllur hesapet me ne dhe me popullin e thjeshtë të këtij vendi. Njohja e krimit dhe vënia e drejtësisë në vend i bën nder atyre që e bëjnë këtë dhe na vë në paqe ne viktimave të krimit. Njohja e krimit është hapi i parë i njerëzillëkut, ndëshkimi i tij i shërben drejtësisë dhe nxjerrja e leksioneve i shërben të ardhmes sonë të përbashkët. Deri atëherë, me mend në kokë o popull i thjeshtë i këtij vendi.