I mbani mend liderët e politikës shqiptare para 20-30 vitesh?
E nisën nga një dhomë gjumi e një kuzhinë plot buburreca, nga një biçikletë me kopertona gjithë mballoma e kamerdare-tubolar, nga dushi me vajguri, me nga një fustan basme gri ose kostum terital dopiopet, bezhë e të dalë boje.
Shkonin në punë çdo mëngjes me dy feta bukë të zezë të lyera me margarinë, mbështjellë me gazetë, me dy speca e pak djathë ose dy domate me ca kokrra ullinj. Ndonjë fatlum kishte dhe ndonjë koqeve të sjellë nga fshati, zier apo skuqur me atë vajin e shpifur që nuk dihej nga e kishte origjinën. Sot janë zotërinj, jetojnë si princër, me toka, prona e llogari të majme bankare. Janë shndërruar në pronarë të një populli të vogël, të sfilitur, të vuajtur, të paditur e fatkeq, që hiqet zvarrë, vidhet e përbuzet çdo ditë, e lufton për bukën e gojës orë e minutë tash e tridhjetë vjet. Ata dhe pinjollët e tyre kanë privatizuar Shqipërinë e jetojnë si në përralla.
E kanë zhytur atdheun (më pëlqen ta përdorë këtë fjalë) në një varfëri e korrupsion të paparë e të pa jetuar deri më sot. Nuk luftojnë as për drejtësi, as për zhvillim, as për mirëqenien e përgjithshme e as për shtet demokratik. E kishin shansin historik (janë 30 vjet po ato fytyra) për ta bërë Shqipërinë një vend të begatë.
Tani i ka kapur tartakuti nga Vettingu, se janë sa mëkatarë dhe të pamëshirshëm por dhe aq frikacakë. E kanë të gjithë në të dy krahët nga një dosje për t’ua hapur. Prandaj thyejnë ligjet, krijojnë kaos, e pasiguri. Rama mbron me fanatizëm njerëz të krimit qofshin ordinerë, biznesmenë apo deputetë. Ai e di mirë se me rënien e tyre ai do të shkojë prapa diellit, sepse ata e sollën në pushtet dhe tani ai është plotësisht nën hyqmin e tyre.
Krerët e opozitës pasi dolën nga fusha e betejës (parlamenti) pa pyetur fare strukturat, duke kundërshtuar aleatët perëndimorë edhe përtej oqeanit, bëjnë luftë me mullinjtë e erës e hiqen si engjëj e shenjtorë. Gjithçka që opozita akuzon e denoncon qeverinë e sotme është plotësisht e vërtetë. Por do të ishte e udhës që ajo (opozita) të kërkonte falje për Lazaratin dhe shumë mëkate të tjera e, sigurisht, të zhdukte nga drejtimi disa figura të stërkonsumuara, llafazanë, dembelë e të korruptuar, ca mehmurë-gogolë qe enden zyrave, duke pritur fitoren, e kur dalin në TV edhe, sikur mrekullira të thonë, nuk i beson njeri. Largimi i opozitës nga tryeza e ngritur nga OSBE-ja ishte një hap tjetër i saj drejt vetëvrasjes politike. Injorojnë e tallen me Gjuzët e Rudinat, sikur nuk janë pjella e listës personale të liderit(të paktën të kërkojnë falje).
Presidenti i SHBA-ve Donald Tramp takoi dhe bëri foto (Ed Rama e Lul Basha lumturohen kur bëjnë një foto të tillë) madje edhe drekoi me Kim Jongun, diktatorin komunist të Koresë së Veriut. Nuk i thanë amerikanët presidentit të tyre, pse u takove me diktatorin e Koresë. Sepse ajo lëvizje ishte politike dhe komunikimi e bisedimi është fillimi i marrëveshjeve midis qenieve njerëzore. Vetëm idiotët ose tradhtarët nuk e kuptojnë.
Me ndeshjen e skuadrave të pingpongut e filluan amerikanët disa dekada më parë me kinezët. “Muri” u thye dhe ja ku jemi sot. Edhe amerikanët edhe kinezët fituan nga kjo “paqe”. Atëherë si është e mundur që dy forcat kryesore politike shqiptare që gjoja punojnë e mendojnë për popullin e tyre nuk ulen të bisedojnë, por japin ultimatume e i vënë kushte edhe OSBE-së, duke kërkuar komisione të kryesuara nga të huajt? Mirë Voltana u nxitua me Shkodrën dhe ia dhanë përgjigjen po nuk ka mbetur ndonjë njeri me mend aty në PD, që kërkohet përsëri të qeverisemi nga Evropa?
Nuk e di vallë ambasadori Bochard se Gjiknuri ka bashkëpunuar me kriminelë për vjedhjen e votave? Nuk ishte gazeta “Bild” që i bëri publike ngjarjet?! Ç’ishte ky gjeldeti që bëri deklaratën, e kërciti iku, duke minuar e injoruar angazhimin evropian e më gjerë për reformën zgjedhore?
Po a e dinë liderët e PD-së se ç’mendojnë demokratët në bazë? I pyetën para se të dilnin nga parlamenti, kur nuk u futën në zgjedhje etj., etj? A kanë bërë ndonjë referendum qoftë dhe të pjesshëm se ç’mendojnë demokratët për këto veprime? Strukturat e PD-së në Tiranë e rrethe po fiken, rrudhen e shkërmoqen çdo ditë që kalon, se nuk i pyet njeri, por vetëm i komandojnë. Përgjegjësia e opozitës është shumë e madhe.
Ajo vërtetë nuk qeveris, por me veprimet e saj ngjall ose vret shpresën e njerëzve për t’u bërë më mirë. Dhe kur në fund të tunelit nuk ka dritë, njerëzit ikin nga sytë këmbët. Po ka dhe një pjesë që nuk do të ikë e do të rrijë të jetojë në dheun amë. Zemërimi i tyre rritet e rritet e pret të shpërthejë si llava e vullkanit.
Shqiptarët ia kanë parë dy herë sherrin luftës këta 30 vjet, më 1997-n dhe më 1998-n dhe tani ndoshta po projektohet e treta. Bilanci i humbjeve të vitit 1997 ishte i tmerrshëm. Mbi 3000 të vrarë, nga të cilët 164 policë me uniformë. Qindra bashki, gjykata shkolla e institucione të shkrumbuara. Miliona armë në duart e shqiptarëve që vazhdojnë të vrasin edhe sot. Asnjë pendesë nga partitë politike. Askujt nuk i hyri gjemb në këmbë e vazhdojnë avazin e armikut, duke mos e kthyer kurrë gishtin nga vetja. Në oborrin e PD-së këndohet plot patos e me zë kaposhi të rrjepur Himni i Flamurit. Po ne nuk jemi të pushtuar, as sulmuar apo rrezikuar nga ndonjë fuqi e huaj. Ne jemi një vend i lirë që po përpiqemi të ndërtojmë një shtet demokratik pas një diktature 50-vjeçare. Metodat janë puro komuniste: Emërtimi i kundërshtarit politik, armik dhe eliminimi i tij. Kjo urrejtje midis palëve vjen ose nga indoktrinimi i ideologjisë komuniste, (në ato shkolla janë formuar të gjithë) ose nga padituria, ose disa nga liderët e sotëm politikë janë vënë në shërbim të agjenturave serbe apo greke, që Shqipëria të mos bëjë kurrë përpara, të mbetet e varfër dhe e përçarë. Nuk ka tavolinë kafeneje, në vdekje apo gëzim, ku njerëzit të mos diskutojnë për gjendjen e mjeruar ku ndodhen. Ama vetëm sa mjaullijnë si maçokë apo mace për të keqen që i ka zënë dhe vetëm kaq. Po ilaçi gjendet
Nëse nuk ka drejtësi atëherë protesto,
nëse ndërtojnë një pallat 20-30 kate e të zënë dritën e diellit protesto,
nëse të prishin shtëpinë për dy lekë, atëherë protesto,
nëse vijnë fatura jo reale protesto,
nëse të vjedhin lumin dhe të thajnë për një pikë ujë protesto,
nëse të rrëmbejnë pronën protesto,
nëse të rrjepin me taksa gjithfarësh protesto,
nëse të vjedhin naftën, gazin, kromin e bakrin, protesto.
Protesto si individ, si pallat, si lagje, si fshat, si grup individësh, si komunë e si sindikatë. Bëjuani jetën ferr hajdutëve të Rilindjes! Në këto protesta do të lindin dhe udhëheqësit e rinj që ndoshta do të formojnë një parti mbi interesat vetjake. Partitë e sotme shqiptare në pjesën dërrmuese përbëhen nga interesaxhinj, që zbatojnë parullën: “Ik ti se vodhe shumë, të vij unë se do të vjedh pak.”
Mos rrini peng i fajdexhinjve e kusarëve për një vend pune, për një kredi të butë, për një diplomë false, për një të drejtë studimi të pamerituar.
Mos përdorni ato frazat e mallkuara të skllavit se: Më futi në punë, më rregulloi vajzën, djalin në bashki apo ministri, më bëri legalizimin e shtëpisë, më ndihmoi për pronën etj, etj. dhe i jam borxh gjithë jetën.
E drejta për punë, e drejta për të qenë të barabartë para ligjit, janë të drejta universale dhe nuk dhurohen nga horrat e politikës. Sot janë vetëm dy ishuj qëndrese në Shqipëri: Banorët e Astir-it dhe aktorët heronj të Teatrit Kombëtar. Një grusht njerëzish janë po e kanë detyruar qeverinë dhe bashkinë të zbythet, sepse ai grusht njerëzish kanë të drejtën me vete. Me ishuj të tillë qëndrueshmërie duhet të mbushet gjithë Shqipëria.
Protestoni, nëse jeni të pakënaqur.
Mos ulni kokën si qetë e parmendës. Mendoni se zotit tuaj do t’i vijë keq e do t’u heqë zgjedhën nga zverku? Po kush do iu punojë “arat” atyre? Si do të pasurohen e do të jetojnë si mbretër? Nuk kërkohet luftë me armë por protesta për dinjitet njerëzor, për një jetë më të mirë.
Dhe për ta mbyllur: Të majtët e të djathtët nuk e zënë fare në gojë anulimin e ligjit zgjedhor të vendosur në vitin 2008, ligj që shkatërroi përfundimisht shtetin demokratik. Boll të ndryshohet ky ligj e të kthehet sistemi mazhoritar se të tjerat janë përralla me ujq, qengja e kësulëkuqe. Votimi me listë emërore ku këtë të fundit e bën vetëm lideri, i bën këta të plotfuqishëm e arrogantë. Rreth liderit pastaj për hir të një vendi në listën e deputetëve, si fluturat rreth dritës së llambës, vërtiten servilët, hajdutët, llapaqentë, spiunët e tradhtarët. Të hysh në atë listë, do të thotë të jesh “kone” e bindur e kryetarit.