Gjendet i vrarë në një kanal Ded Shkreta, 63-vjeçari i zhdukur prej datës 25 janar të këtij viti.
Report Tv mëson se viktima ka shenja plage në trup të shkaktuara nga sende të forta.
Ai është gjetur i pajetë në fshatin Adriatik, pranë Mamurrasit mesditën e kësaj të shtune.
Mësohet se familja e Shkretës ishte në hasmësi me një familje tjetër, çka shton dyshimet se krimi mund të jetë për gjakmarrje.
Sipas djalit të tij, Ermal Shkreta, Deda vuante nga skleroza dhe ai shpresonte se 63-vjeçari nuk ishte kthyer në banesë për shkak të sëmundjes.
Për herë të fundit, Ded Shkreta ishte parë te Kthesa e Kamzës në datën 25 janar, teksa hipte në një furgon i cili ka ndaluar në Mamurras, si stacion i fundit.
“Ne mendonim se ai ishte nisur për në Laç, por pasi pyetëm drejtuesin e furgonit, u njoftuam se ai kishte mbërritur në Mamurras”, u shpreh Ermal Shkreta, i cili tregoi më pas se ka kontrolluar gjithandej për të atin dhe se gjurma më e fundit prej tij i ka rezultuar në Fushë-Mamurras Adriatik.
“Përmes pamjeve filmike të një kamere, e kemi parë se ai ka kaluar në Fushë-Mamurras në orën 17:20 të darkës”, tha ai.
Pikërisht pranë këtij fshati, në një kanal anash rrugës, Ded Shkreta është gjetur i pajetë dhe me plagë në trup.