Shefi i ushtrisë së Britanisë së Madhe, gjenerali Mark Carleton Smith, ka deklaruar se Rusia tash është një kërcënim shumë më i madh për sigurinë kombëtare të vendit të tij sesa i ashtuquajturi, “Shteti Islamik”. Në një intervistë për “Daily Telegraph”, ai ka thënë se Britania nuk duhet të ndihet rehat ndaj kërcënimit që vjen nga Rusia.
“Rusët synojnë ta shfrytëzojnë ndjeshmërinë dhe dobësinë e vendeve, kudo që e gjejnë atë”, tha ai. Britania e Madhe e fajëson Rusinë për helmimin e ish-agjentit rus me helm kimik. Ai ishte helmuar në muajin mars të këtij viti, pasi i kishte ofruar të dhëna inteligjencës britanike. Ndërkaq, në tetor Britania e Madhe e akuzoi sërish inteligjencën ushtarake ruse për katër sulme kibernetike kundër Partisë Demokratike në SHBA dhe kundër një rrjeti të vogël televiziv në Britani.
Në intervistën e tij të parë që nga emërtimi në pozitën e re në qershor, ai tha se Rusia është pa dyshim kërcënim më i madh se grupet terroriste, siç janë ISIS-i apo Al Kaida. “Rusia ka filluar përpjekje të vazhdueshme për të zbuluar dhe shfrytëzuar pika të dobëta në shtetet perëndimore, e sidomos në aspektin e sulmeve kibernetike, kontrollim të hapësirave ajrore dhe pajisjeve luftarake nënujore”, deklaroi gjenerali Smith.
Ai ka diplomuar në akademinë ushtarake “Sandhurst” gjatë viteve të fundit të Luftës së Ftohtë. Ka qenë udhëheqës i operacionit të kërkimit të Osama Bin Ladenit dhe ka pasur rol kryesor në luftimet kundër ISIS-it në Irak dhe Siri. Ai është emërtuar gjeneral i përgjithshëm i ushtrisë britanike në qershor të këtij viti, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.