Brahim Ibish AVDYLI:
GJENERATORI I FATKEQËSIVE
Leximi i shënimit apo i tregimit të Agron Ilirianit,
i dymbëdhjeti me radhë…
Mbasi mund të marr pakëz frymë dhe shpëtova edhe sot prej vdekjes, po ulem prapë i mbështetur për gurë, ndonjëherë të thepisur, dhe në vend të ngjyrës prap e ngjyros drurin e mprehtë në gjakun tim, që t`u shkruaj. Jeni të lumtur që më keni ende të gjallë, të durueshëm, e të dijshëm, aq sa mund të jem, sepse tani sapo kalova orditë e rrahjes së egër!…
Në këtë zgafellë, nuk mund të gjendet aspak lumturia, por mua nuk më mungon as mendimi për te. Lumturia është art, të cilin pak veta e zotërojnë. Kur shikojmë rreth nesh, duket sikur të tjerët e kanë gjetur pikën qendrore të saj, por pika qendrore nuk është askund, ndonëse atyre u duket kësisoji. Kjo nuk është më tepër se dukja e jashtme apo pamja e jashtme, pra fasada. Brenda kësaj membrane mashtruese fshihet drama njerëzore.
Po, po. Jeta e jonë quhet jetë e përkohshme; jetë e provave, e vuajtjeve. Në anën tjetër të medaljes duket sikur njerëzit e kanë gjetur gëzimin, harenë dhe lumturinë. Por ajo është një fasadë e artit të quajtur “lumturi”, e cila, në fund të fundit, të mashtron. Prandaj, është e mundur t`i themi lumturisë “e bukura e jetës sonë”, e pse të mos gëzohemi kur ushqehemi me te, por ajo është art i luajtur mirë, me shpirt, me ndjenja, zemër e mendje. Njerëzit nuk duhet që t`i dëshprojmë, sepse jetës së provave i themi “jetë e përkohshme”, e ndjenjave të njeriut dhe bindjes së tij, dhe nuk duhet të kthehemi në anën negative, por të mbetemi në anën pozitive. Njeriu, edhe pse është deri në fund i shkatërruar, si unë, në vend të zhgënjimit ai duhet t`i gëzohet vdekjes, kur i vjen, sepse e kreu punën e tij me këtë jetë të provave.
Kur po vija në botën e këtushme, nuk e harroj kurr mësimin e madh të Zotit përcjellës, që më tha se në këtë jetë do t`i kem afër si këngën dhe vajin, prandaj do të jem më i lumtur nëse e zgjedhi këngën në vend të vajit; buzeqeshjen, në vend të idhësimit; shpresën e madhe dhe të këndëshme, në vend të dëshprimit; dhe parasegjithash mendimet pozitive, në vend të atyre negative, që vinë njëra pas tjetrës, e duhet që t`i mboshtësh, edhe kur je afër fundit. Po mbaron bota e përkoshme në këtë mënyrë dhe po vjen bota e përjetshme. Gëzohu, nëse vjen deri në fund dhe i ke kryer të gjitha provat tua; i ke larë të gjitha borgjet; ke lënë fëmijë e pasardhës tuaj; u ke lënë çdo njërit që do të mundesh një fjalë të urtë, një fjalë të mirë, një shpresë midis të zezave të jetës, një dritë në fund të tunelit…
Është e padrejtë dhe njëkohësisht e paqëllluar të mendojmë se çdo gjë mbahet “nën petkat e lumturisë”; që është “e liruar” nga miliona format e shprehjes së vet të fatkeqësisë njerëzore. Fasada të mashtron me pamjen e vet të bukur e të përpunuar. Edhe dora e njeriut është e aftë të mbarojë gjëra të larta e të bukura, në tërë globin e tij; nga kulturat e ndryshme të popujve, etj.; por edhe kjo e ka një pikë të dobët, apo një pikë delikate e të padijshme, të cilën njerëzit ia lënë Zotit në dorë, e jo natyrës. Shkenca ia veshë ligjeve të natyrës, dhe unë i njoh këto, por edhe dijen metafizike e ekzoterike. Fetë janë obskurantiste, të errëta, për të mos thënë abstrakte, sepse abstrakte është edhe letërsia, por nuk jam aspak letrar dhe abstrakt. Mendoj bukur, si letrarët, por nuk jam letrar.
Ana tjetër thotë se lumturia është një maskë e bukur, sepse bota është e ndalur në maskën e vet të pudrosur të shfryrjeve. Kjo thirret edhe strategji. Kur e ke paraqitjen e përkryer, të gjithë e fitojnë përshtypjen e suksesit. E më tutje thonë ata se të jeshë i sukseshëm, është një mjeshtri më e veçantë, nën këta vrushkuj të dinamizmit. Ky është një art i marrë, i vështirë, i ligë, i poshtër, i pispillosur, por ne do t`u kthehemi tjera herë “strategjisë” dhe vet “mjeshtrisë, që të jesh “më i sukseshëm” dhe më “i përkryer”.
Gjithçka lëvizë sot për sot dhe vjetërohet brenda ditës. Është pothuajse normale të bjerret falsiteti aq shpejtë. Nuk i reziston kokës dhe nuk matet me kohën, por vetëm aktual. Sa të jesh gjallë të dukesh “i lumtur”, “i gëzuar”, “i kënaqur” edhe nëse nuk je me të vërtetë kështu, pra të shtiresh, në formë më të përkryer, më simpozante, më të lartësishme, i “shoqërisë së lartë”…
I ligu, i poshtri, i keqi, antiteza e njeriut të vërtetë, është me pushtetin e lartë; ai mëson që të gënjejë, të mashtrojë, të rrahë, të të vras, etj. U premton atyre gjëra të mëdha e të mira, në radhë të parë atij i cili është më i lartë e të tjerëve; të bukura, të lavdieshme, të pavdekshme, atyre që janë më poshtë teje, edhe pse e di se po i gënjën të gjithë, për t`i përvetësuar; pa e marrë me mend askush se janë mashtruar e rreshtohen në kampin e të keqes. Mjafton që t`i bëjnë tri të këqijat më të mëdha, sepse nuk i mendojnë se janë të atilla, e kur t`i kuptojnë se i kanë bërë, e dinë se prapa nuk mund të kthehen.
Kështu është e krijuar bota, por kufirin më mes të keqes dhe të së mirës e keni vetë në duar. Në qoftë se ke bërë të mira më shumë se sa të liga, dhe nuk i ke bërë asnjë prej tri të ligave që të nxjerrin jasht prej njerëzve me demonët, në shërbim të Kryedemonit, kundërshtarit të parë të Zotit të Madh, atëherë zemra e jote peshon në anën e të mirëve, pra je “i mirë”.
Athua përse njerëzia vrapojnë, shpenzojnë, e vuajnë “për t`u shitur” si ata që nuk janë të mirë?! Përse hargjojnë ata aq mund e persiatje për të krijuar fasada që nuk janë reale, por të rrejshme, dhe që duken “të bukura”, të cilat, gjithsesi do të bien përdhé një ditë?! Përse shtiren si “të lumtur”, të qetë, të komodshëm, etj., kur kjo gjë u zgjatë vetëm për disa momente, sa të fillojnë edhe ndonjë skenë apo prapaskenë, në dramën e madhe njërëzore?!…
Duhet që ta dinë se ku e marrin ata një shtytje të brendëshme, në këtë drejtim, pa e kuptuar apo pa e parë “me sy të vërtetën”. Paraprakisht, kjo ka të bëjë me parapsikologjinë apo me psikologjinë, por edhe me psikologjinë e personalitetit, të cilat nuk kanë kohë që t`i mësojnë, apo “u dhemb koka” shumë, e nuk mund të mësojnë, ose u vjen për së mbari të flejnë në gjumë!…
Ja, kjo është pikënisja e vetëdijesimit. Duhet ta shohin botën reale, jo me fantazi, por që t`i dinë të ndajnë “të mirën” e “të keqen”; sikur të bëhej trend i kohës kjo gjë; i paraqitjes reale e të sinqertë; të afërt e tokësore; të paraqitjes nën lëkurën e saktë të gjërave; matematikisht të saktë; e unë besoj se bota do të dukej më ndryshe, pa fasada të rrejshme, më e kapshme e materiale.
Gjithsesi, kështu do të kursehej një pjesë e madhe e dramës njerëzore, që zë fill prapa perdeve të falsifikuara e të shtirura të ditëve. Atje na fillojnë të gjitha gjërat që do të luajnë në skenë, si p.sh. ëndërra e zhgjëndrra; thyerja e zhgënjimi; vuajtja e pezmi; urrejtja e smira; intriga e hakmarrja, e sa e sa shprehje të tjera, por edhe të kundërta me këto që i thashë; apo shprehje delikate e të liga njerëzore e panjerëzore, sepse mjaft krijesa njerëzore janë të lajthitura, të mashtruara e krejtësisht të verbuara, madje deri në padituri e me shkëlqimin e rrejshëm të asaj që mendojnë se “ekziston”, por që të vërtetë nuk ekziston; është mbulesë, jo reale, jo e prekshme, fasadë, shtirje, që bien të pambrojtura në rrjetin e padukshëm të kësaj drame.
Kjo rënie është gjenerator i dhembjeve, që prodhon veprimtari të mbrojtjes suaj, por edhe një veprimtari destruktive, nga të cilat, zemra e mendja janë pré e dhembjes, pra, nuk janë të pastruara në anën e kundërt.
Me siguri u ka folur dikush, në rini apo i rritur, baba apo nëna e gjyshët, se duhet pastruar zemrën, para se të thuash këtë gjë apo atë gjë; para se të marrësh një hap më tutje; para se të bësh këtë apo ate. Si pastrohet zemra? Kështu mund t`i lashë gjerat e tjera, po zemrën, si do ta pastrosh? Thjeshtë! Mos e bëj të keqen; mos e thuaj të ligën; mos jeto me gjërat e marrura pa të drejtë; mos u ngjit përpjetë me gjëra të huaja apo me njerëz “të vegjël”; mbi kurrizin e të tjerëve, se të vret haku i huaj; mos gënje; mos thuaj gjëra të pavërteta dhe mos dëshmo me njërëz të tjerë gjëra që nuk kanë ndodhur, etj.
Kjo është sikur fryma që të ngre vërdallë; i krijon furtunat e përplasjeve; sjelljen e shpirtit tuaj; krijon raporte të tendosura; goditje e kudërgoditje; reagime të papritura; lot e dhembje. Në njëfarë dore, thënë më shkurt, ky është gjeratori i fakeqësive; është energjia shkatërruese: të bësh apo të mos e bësh; të jeshë apo të mos jeshë; të shkosh apo të mos shkosh; të rezistosh apo të mos rezistosh. Është vorbulli i të keqes e të mirës; është centrifuga që të sjellë vërdallë; shpejtë duhet të ndash çka do të bësh, je më i mirë apo më i keq, sepse nuk ka vetëm “i mirë”, një qind për qind. Atëherë, do të ishe një engjull apo Zot, e jo njeri; do të fluturoje në përmasa të tjera…
Në qoftë se do të ishe i keq, do ta bartje maskën e përkryer të panjerëzisë. Një ditë, herët apo vonë, edhe ato përbalten me të hidhurën; e paraqitjes së pasaktë; e paraqitjes së padrejtë; të pa sinqertë, etj…
Akti destruktiv i lojës së tyre në vorbullën e madhe e të pamëshirshme të kohës, do t`i fundosë edhe ata në detin e pikëllimit, sa e kanë bërë hapin e tyre, apo në terrinat e ferrit për aq sa e kanë pasur paditurinë e tyre, dhe pse i kanë shërbyer paditurisë. Të mirat dhe të këqjat do t`i matë me zëmër Zoti i Vdekjes, Inpu ose Anpu, sepse atij i thonë gabimisht Anubis, me sa di unë, si njeri. Ai e peshon zemrën tuaj dhe çdo gjë e di, sepse është Zot.
Në zemër janë gjurmët e diagramit të jetës suaj. Çka do të bësh, mirë apo keq, është aty. Nuk po them më tepër…
Kënaqësitë mashtruese të lumturisë do t`u bjerren nëpër duar dhe ju do të merrni shuplakën e merituar mu në shesh të ditëve, përballë pasqyrës së madhe të drejtësisë, në të cilën do ta shihni pamjen tuaj të çoroditur.
Sokrati e ndau që moti kufirin e kënaqësisë! Vërtetë, më mirë është të jesh Sokrat i vuajtjes, se sa të jeshë një derr i kënaqur, në hedhurinat e çelbura të kohës! Tani, nuk kam kohë më tepër, sepse po ndihet zhurma, e ata po vinë! Kushedi a kam kohë të shkruaj këto vuajtje, për gjërat, të cilat, nuk ma merr mendja se ka ditur dikush t`i shkruaj e nuk ka mundur askush midis dhembjeve të plagëve të kohës t`i hedh në fletë…
Nuk ma merr mendja…
Kush e di…
‘Gjeneratori i fatkeqësive’ – Tregim nga Brahim Ibish AVDYLI
Loading...