Gjermania ka regjistruar më shumë se 50 raste me koronavirus për 100 mijë banorë në 7 ditët e fundit, ka njoftuar Qendra Kombëtare Epidemiologjike, përderisa janë shtuar thirrjet për ndryshim të qasjes.
Instituti Robert Koch ka konfirmuar 14,714 raste të reja, që është rekord i ri ditor, edhe pse ky numër është menduar të jetë rritur për shkak të një gabimi teknik më herët gjatë kësaj jave.
Numri i vdekjeve ka tejkaluar shifrën prej 10 mijë.
Masa më të rrepta janë vënë në zbatim në nivel lokal, në zonat ku niveli i infeksioneve në rajone të caktuara është rritur mbi pragun prej 50 rastesh në 100 mijë banorë, duke përfshirë këtu edhe kufizimet në tubime publike.
Këto të dhëna u publikuan në kohën kur në Gjermani janë shtuar thirrjet për rikthim në nivel kombëtar të kufizimeve gjithëpërfshirëse, që u vendosën në fillim të pandemisë.
Aktualisht, 16 shtetet federale të Gjermanisë janë të lira që të vendosin vet rregullat e tyre, duke çuar kështu në një grumbull masash të ndryshme në tërë vendin. Kritikët thonë se kjo situatë është konfuze dhe e rrezikon përpjekjen e Gjermanisë për parandalimin e përhapjes së virusit.
Në kryeqytetin Berlin, që aktualisht është epiqendër e COVID-19, masa të reja kufizuese kanë hyrë në fuqi këtë të shtunë. Maskat janë bërë obligative në tregje dhe në 10 rrugë të veçanta që kanë shumë frekuentim, në qendra tregtare dhe në vende ku krijohen rende të pritjes.
Rreth njëmijë policë do të mbikëqyrin zbatimin e këtyre masave strike përgjatë kësaj fundjave.
Ndërkohë, kancelarja gjermane Angela Merkel ka përsëritur thirrjen e saj për gjermanët që të qëndrojnë në shtëpi dhe të reduktojnë në minimum socializmin.
“Ne nuk jemi të pafuqishëm kundër virusit, sjellja jonë e përcakton se sa fuqishëm dhe se sa shpejtë shpërndahet. Urdhri i ditës për të gjithë ne është: reduktoni kontaktet. Takoni sa më pak njerëz”, tha Merkel në adresimin e saj javor përmes videos.
Kancelarja ripostoi videon e saj të para një jave, ku kishte apeluar që njerëzit të përmbahen nga udhëtimet dhe festimet që “nuk janë të nevojshme”. “Ju lutem qëndroni në shtëpi, kurdo që është e mundshme, kudo që është e mundshme”, tha Merkel.