Në pallatin e Kulturës në Vlorë u prezantua drejtuesi i ri politik i Vlorës për Partinë Socialiste Arben Ahmetaj. Në mbledhje ishin të pranishëm të gjithë kryetarët e bashkive të qarkut, por u vu re mungesa e kryetarit Dritan Leli.
Pas mbledhjes të mbajtur në pallatin e kulturës ku u prezantua dhe zoti Ahmetaj si drejtues politik i qarkut, folën për mediet Z.Gjiknuri dhe Z.Ahmetaj.
Gjiknuri: “Pata kënaqësinë të prezantoj të deleguarin e ri për qarkun e Vlorës. PS është një parti që vazhdimisht është e gatshme për zgjedhje dhe në këto periudha mes zgjedhjesh të shëndoshet më shumë që të jetë në gjendje që në çdo kohë që të ketë zgjedhje të marrë gjithmonë rezultatin fitues. Këtu në Vlorë ne jemi dëshmitarë që Vlora është qarku i ndryshimeve, është qyteti i ndryshimeve dhe në fund të fundit Arben Ahmetaj do bëjë më të mirën si i deleguari i Vlorës.”
Ahmetaj: “Në PS nuk zëvendëson askush askënd, por marrin përgjegjësi kolegët, ashtu siç na ka ndodhur në historinë politike në vazhdim. Sot vij në Vlorë, është përgjegjësi e madhe dhe privilegj. Damiani ka bërë një punë të shkëlqyer. Ne kemi filluar punën për mandatin e katërt dhe puna për mandatin e katërt kalon nga modernizimi i partisë, zgjedhjet lokale, zgjedhje të zgjuara dhe pa surpriza.”
Zoti Ahmetaj u pyet nga gazetarët për marrëdhëniet dhe luftën e brendshme në PS me kryetarin Dritan Leli dhe konfliktin me bashkinë.
Ahmetaj: “Partia socialiste nuk ka konflikte, ka debate. Konfliktet përjashtojnë le të themi ata që i iniciojnë. Politika e kryeministrit nuk ka ndryshuar në raport me bashkinë e Vlorës dhe nuk do ndryshojë. Kemi rrugë për të bërë së bashku, por ju garantoj që nuk ka asnjë surprizë në vazhdimësinë e politikës që ka prononcuar kryeministri. “