Gjinari, 22 km larg qytetit të Elbasanit, po shndërrohet në një ndër destinacionet e preferuara turistike gjatë fundjavës nga turistët vendas dhe të huaj.
Kjo perlë e natyrës shqiptare që shtrihet në zonën e Shpatit, Gjinari i ofron turistëve një pyll të dendur me pisha, pllaja të gjelbra dhe pamje ideale për të zhvilluar jo vetëm turizmin e peizazhit, por është një vend ideal edhe për të apasionuarit pas sporteve, ecjeve në shtigje malore dhe ngjitjeve deri në Malin e Bukanikut, nën të cilin shtrihet Gjinari.
Vit pas viti në këtë zonë janë ngritur bujtina, hotele dhe restorante, të cilat vitet e fundit kanë bërë që shumë shqiptarë dhe të huaj të vizitojnë për një ditë apo për disa ditë këtë zonë malore në qarkun Elbasan.
Një nga monumentet e natyrës në këtë zonë është dhe Pisha e Fushkuqes, që është shpallur Monument i Natyrës në vitin 2002, dhe nuk është veçse një peizazh çlodhës por edhe kurativ , bëhet fjalë për një sipërfaqe rreth 2 ha, me drurë të rinj dhe të vjetër.
Kisha e Shën Kollit në Shelcan është e ndërtuar në periudhën e Mesjetës dhe në të gjenden afreske të Onufrit, datojnë në vitin 1554. Disa prej afreskeve i kanë shpëtuar dëmtime dhe aty gjendet figura e Krishtit, e rrethuar nga apostuj.
Kisha e Shën e Premtes në Valësh është një tjetër destinacion. Edhe kjo kishë daton në të njëjtën periudhë dhe afresket janë të realizuara nga Onufri. Pikturat murale në këtë kishë kanë vlera të mëdha dhe ato shoqërohen me shkrime bizantine të asaj kohe.
Në këtë zonë ndodhet edhe varri i Kostandin Shpatarakut (Ogës), piktor ikonash në mbi gjashtë kisha të Shqipërisë së Mesme, nga viti 1736 deri në vitin 1767. /atsh