Në qarkun e Gjirokastrës janë shpërndarë deri tani 10 260 pensione pranë banesave të të moshuarve, pa qenë nevoja që ata të lëvizin duke shmangur përhapjen e COVID-19.
Prefekti i qarkut Gjirokastër, Astrit Aliaj, tha për ATSH-në se “vetëm në bashkinë e Gjirokastrës janë shpërndarë që prej datë 1 prill deri 10 prill 4 131 pensione, ndërsa në total në gjitha bashkitë e qarkut janë dërguar në shtëpitë e pensionistëve 10 260 pensione”.
“Po ashtu në kë periudhë janë dërguar 538 pensione në bashkinë Libohovë, 1 606 në bashkinë Tepelenë, 1054 në bashkinë Memaliaj, 1407 në bashkinë Përmet , 751 në bashkinë Këlcyrë dhe 539 në bashkinë Dropull”, – tha Aliaj për ATSH-në.
Në kuadër të situatës së krijuar prej COVID-19, qeveria mori masat që pensionistët dhe të moshuarit të mos lëviznin prej banesave të tyre, duke dërguar edhe pagesat e pensioneve pranë banesave të tyre.
Të moshuarve dhe pensionistëve të vetmuar, krahas ndihmës ushqimore po u sigurohen edhe medikamente në banesat e tyre./atsh