Prefekti i qarkut të Gjirokastrës, Astrit Aliaj, deklaroi sot se “duke kombinuar monitorimin nga ajri me kontrollet në territor, në bashkëpunim me pushtetin vendor, nuk do të lejohet më që qarku Gjirokastër të përfshihet në listën e zezë të kultivimit të kanabisit”.
Në takimin e zhvilluar në Prefekturën e qarkut Gjirokastër në kuadër të luftёs kundёr kultivimit dhe trafikimit të kanabisit ishin të pranishëm, drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë, shefi i komisariatit të policisë Gjirokastër, drejtues të lartë të bashkisë Gjirokastër si dhe administratorët e njësive administrative të bashkisë Gjirokastër.
Në fokus të këtij takimi ishte zbatimi nga ana e bashkisë Gjirokastër i detyrave të ngarkuara nga “Planveprimi vendor 2020” në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.
Në fjalën e tij, prefekti Aliaj theksoi se “qarku ynë është një nga qarqet me riskun më të lartë në drejtim të kultivimit të kanabisit dhe se ka ardhur momenti që kjo njollë të hiqet njëherë e përgjithmonë”.
“Për këtë, çdo drejtues institucioni në nivel vendor duhet të marrë më shumë përgjegjësi duke intensifikuar punën në drejtim të kontrolleve në terren”, – tha Aliaj.
Ai shtoi se “njësia e vetëqeverisjes vendore duke qenë zot në territorin e saj, ka për detyrë të monitorojë çdo centimetër toke dhe të mos lejojë asnjë veprim të kundraligjshëm të kryhet brenda këtij territori”.
Ndër të tjera, Prefekti i qarkut, ka lënë edhe disa detyra për bashkinë Gjirokastër si: krijimi i një liste me të gjithë emrat e përsonave që kanë marrë sipërfaqe kullosore, pyje dhe toka të lira të dhëna me qera, krijimi i një liste me të dhënat e çdo burimi ujor, liqeni të përkohshëm si dhe çdo vije ujore, që mund të përdoret për qëllime jo të ligjshme dhe ndërgjegjësimi i çdo qytetari që të raportojë tek institucionet ligjzbatuese për çdo dyshim apo veprim të kundraligjshëm në territor.
Ndërkohë që drejtuesit e bashkisë Gjirokastër të firmosin një deklaratë me çdo administrator të njësive administrative të bashkisë, ku të shprehin qartë pranimin e detyrimeve të ngarkuara nga zbatimi i “Planveprimit Vendor 2020” dhe në rast të moszbatimit të detyrave do të ngarkohen me përgjegjësi.
Në fund të takimit Prefekti i qarkut është ndalur edhe tek situata e zjarreve në bashkinë Gjirokastër, duke bërë thirrje që të gjitha strukturat përgjegjëse të përgatiten për çdo situatë të mundshme gjatë stinës së verës si dhe të zbatojnë me përpikmëri detyrimet e planit vendor të masave kundër zjarreve./atsh