Përfaqësues të dy agjencive të ndryshme të transportit urban në Gjirokastër janë përfshirë në një konflikt me armë të ftohta dhe sende të forta. Shoferët e dy autobusëve të linjave urbane njëra e Gjirokastrës dhe tjetra e Dropullit janë konfliktuar për oraret e linjave dhe pasagjerët. Konflikti që ka nisur në Tiranë, ka marrë përmasa më të rënda në Gjirokastër. Të plagosurit, njëri prej të cilëve kishte të çara në kokë, pas mjekimit në spital, janë shoqëruar në komisariatin e policisë. Përfaqësuesit e tjerë të shoqërisë “Argjiro” kanë kërkuar një takim me drejtuesit e policisë, ndërsa janë grumbulluar para komisariatit.
Ata kanë pohuar se konflikti i paralajmëruar i ka fillesat 4 muaj më parë, kur shoqëria “Dropulli” mori liçensën për transportin e pasagjerëve në linjën Dropull-Tiranë, por mosrespektimi i këtyre rregullave ka shkaktuar përplasje me autobusët e linjës “Argjiro” që operon në Gjirokastër prej 30 vitesh. Shoferët e agjencisë “Argjiro” pohojnë se në rast moszgjidhjeje të këtij problemi, ata do të bllokojnë rrugën kryesore dhe do të paralizojnë qarkullimin.
(BalkanWeb)